[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Dëshmi të panjohura: Si duhet të ishte flamuri shqiptar, sipas Esat Pashë Toptanit (Foto)



Esat Pashë Toptani vazhdon ende të mbetet një personazh historik me shumë dritëhije. Ndoshta shkaku duhet kërkuar te mania pambarim e shqiptarëve për të revizionuar çdo gjë nga e kaluara si dhe në liberalizimin e tregut të botimeve që, gërshetuar me mungesën e redaktimit shkencor, çon hera-herës në botime jo krejtësisht të sakta në pikëpamje historiografike. Sigurisht që, është normale, madje e domosdoshme, që historia të ritrajtohet në vazhdimësi. Kjo lidhet më së shumti me kërkimet nëpër arkiva vendase e të huaja dhe, për një vend të mbyllur ku ka operuar historiografia shqiptare, është e natyrshme të zbulohen në vazhdimësi dokumente të reja.

 

 

Në këtë kuadër, po zbardhim më poshtë disa dokumente dhe botime gjermane, të cilat hedhin sadopak, një dritë më shumë mbi këtë çështje.

 

Gjatë kërkimit në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë para disa kohësh, në fondin R 130365 ndesha në një zarf letre, i cili kishte brenda tij një shkresë përcjellëse të ambasadës austro-hungareze në Berlin të datës 7 maj 1915, që i drejtohej Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane me tekst: “Ambasada perandorake dhe mbretërore ka nderin t’i dorëzojë Ministrisë së Punëve të Jashtme një notë të Esat Pashës të destinuar për përfaqësuesin perandorak gjerman që ka të bëjë me flamurin kombëtar shqiptar, që i është dorëzuar të ngarkuarit me punë të perandorisë austro-hungareze në Durrës”.

 

Më tej në zarf gjendej nota e nënshkruar nga Esati, drejtuar përfaqësuesit gjerman në Durrës, i cili ndërkohë ishte larguar nga Shqipëria.

 

Ndoshta kjo letër është një nga rastet e rralla– në mos hera e parë në dijeninë time – ku botohet një shkresë e nënshkruar nga Esat Toptani. Përmbajtja e shkresës është krejt formale. Ajo daton më 21 prill 1915 dhe është shkruar në Durrës. Esat Pasha i dërgon përfaqësuesit gjerman modelin e flamurit kombëtar shqiptar, gjithmonë sipas variantit të tij. Në fund të saj bie në sy një firmë e pastërvitur dhe e brishtë, çka ndoshta ilustron atë që Ekrem bej Vlora dhe bashkëkohës të tij e thonë, që Esati nuk dinte shkrim e këndim, por mesa duket kishte mësuar të firmoste me germa latine. Po ashtu, në shkresë duket qartë që teksti i saj është shkruar nga një dorë e mësuar. Gjithashtu në të vihet re edhe mania e Esatit për t’i dhënë sa më shumë pushtet vetes, kur nënshkruan si president i përkohshëm i Shqipërisë, komandat suprem dhe gjeneral.

 

Modeli i flamurit i propozuar nga Esat Toptani