[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Deputetja Izmaku “kundër” Zyrës së BE-së në Prishtinë, vihet në mbrojtje të RTK-së



Deputetja e PDK’së, Xhevahire Izmaku, e cila njëherësh është edhe kryetare e Komisionit për Media, ka reaguar nga Zyrës së Bashkimit Evropian.

Zyra e BE’së, më herët gjatë ditës ka komentuar lidhur me ligjin për Radio Televizionin e Kosovës, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të qartësojë çështjen e parapagimit të transmetuesit publik.

Deputetja Izmaku, përmes reagimit të saj, ka sqaruar se sipas ligjit për RTK’në, financimi i transmetuesit publik do të jetë i pavarur, pra drejtpërdrejt nga qytetarët.

Ajo thotë se “ngutia” e BE’së për të dal me reagim pa u informuar mirë se cilat do të jenë procedurat dhe çka përmban ligji “duket e habitshme” dhe sipas saj, “nuk kontribuon në zgjidhjen e problemit të RTK’së”.

Ky është reagimi i plotë i deputetes Izmaku:

Sqarim rreth reagimit të BE për amandamentimin e ligjit të RTK

Si kryetare e Komisionit për Media jam e befasuar nga reagimi i BE për amendamentimin e ligjit të RTK-së. Sidomos jam e befasuar me një pjesë të përmbajtjes së këtij reagimi aty ku thuhet se procesi ka qenë jotransparent. Fillimisht më duhet të theksojë se për herë të parë pas një periudhe relativisht të gjatë Komisioni për Media ka marrë parasysh edhe rekomandimet e raportit të progresit që RTK të ketë një financim të qëndrueshëm dhe të pavarur nga buxheti i shtetit. Është gjithashtu hera e parë kur seriozisht jemi marrë me zgjidhjen e çështjes së pronës. Financimi i RTK sipas këtij ligji do të jetë i pavarur drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa vetëm një pjesë është nga buxheti i shtetit kryesisht për çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me politika editoriale. Për të qenë sa më transparent dhe në përputhje me standardet evropiane ne kemi ftuar përfaqësuesin e BE në Kosovë, në punëtorinë e organizuar në Durrës (14-16 tetor 2016) dhe përgjigja ka qenë se nuk mund të marrin pjesë por që do t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim pas konsultimeve me Brukselin. Dhe asnjëherë prej atëhere nuk kemi marrë asnjë rekomandim. Gjithashtu, takimet e Komisionit për Media kanë qenë të hapura për pjesëmarrje ku kanë mundur të vijnë edhe zyrtarët e BE në Kosovë. Pikërisht për ligjin e RTK, anëtarë të Komisionit për Media kanë zhvilluar disa vizita në disa transmetues publik rajonal dhe më gjerë dhe kemi marrë praktikat më të mira për t’ia përshtatur RTK-së. Dhe mënyra mikse e financimit siç e kanë shumica e transmetuesve publik edhe në vendet e BE-së duket të jetë forma më e qëndrueshme. Sigurisht që draft ligji do të dorëzohet në Qeveri për komente, siç e parasheh procedura, pastaj do të kërkohen komentet e Unionit Evropian të Transmetuesve dhe BE. Prandaj, ngutia nga ana e BE, për të dal me reagim ende pa u informuar se cilat janë procedurat dhe çka përmban ligji duket e habitshme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit me të cilin po përballet me vite të tëra RTK.