[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Deputetja ia paraqet VV-së kandidaturën për kryetare të Prizrenit, ja premtimi i saj



Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prizrenit para organeve të kësaj partie.

Ajo është zotuar se nëse i jepet mundësia të garjë si kandidate të VV-së, do t’i përkushtohet me gjithë qenien e saj punës për t’iu shërbyer qytetarëve me nder.

“Do të isha e gatshme që të jem derë e hapur për çdo shqetësim, sugjerim, kritikë e mendim ndryshe qytetar”, ka shkruar Millaku.

Reagimi i saj në Facebook:

Përgjatë historisë gruaja shqiptare luftoi për çdo gjë. Luftoi për zërin e saj për me u dëgjue në çdo udhë ku ajo ka vendosë me ecë, e me lënë gjurmë të cilat kurrë nuk kanë me u fshi. Luftoi për liri, barazi e drejtësi, shkollim e emancipim. Luftoi për me bindë shoqërinë për vlerat e saj.

Për me ardh në ditët e sotme me u zgjedhë në elitat udhëheqëse të shoqërisë dhe shtetit tonë.

Që kur kam hyrë në politikë e kam kuptuar se nuk mund të lësh gjurmë suksesi nëse nuk përballesh me padrejtësitë dhe nëse nuk përpiqesh të fitosh mbi këto padrejtësi. E kam kuptuar edhe se sa më shumë u jam mirënjohës, sa më shumë i vlerësoj e i çmoj aq më shumë më shtohet rrethi dhe respekti i miqve dhe bashkaktivistëve.

Me 14 shkurt unë si grua dhe si nënë, kandidate për deputete e listës fituese Vetëvendosje jam krenare që isha pjesë e grupit fantastik të grave të Lëvizjes që arritëm të sfidojmë çdo paragjykim, për të qenë të nderuara maksimalisht nga vota popullore.

Përpjekjet për të vazhduar drejt sukseseve dhe kërkesat e shumë miqve dhe aktivistëve të Lëvizjes më japin kurajo e guxim që të bëjë hapin e radhës.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës para organeve të Lëvizjes dhe para aktivistëve dua të paraqes kandidaturën time për kryetare të komunës së Prizrenit.

E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonisë, kulturës e traditës së këtij qyteti historik.

Nëse më jepet mundësia të garojë si kandidate e Lëvizjes e jap fjalën dhe besën se me tërë qenien time do ti përkushtohem punës për ti shërbyer me ndershmëri të gjithë qytetarëve të Prizrenit pa dallim rajoni, kombësie dhe feje.

Do të isha e gatshme të formojë ekipin e suksesit duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit njerëzve më të zotë të këtij vendi, historianëve, profesorëve, arkeologëve, arkitektëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve, mjekëve, artistëve, fermerëve……

Do të isha e gatshme që të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, me përfaqësuesit fetar dhe me diasporën.

Do të isha e gatshme që të jem derë e hapur për çdo shqetësim, sugjerim, kritikë e mendim ndryshe qytetar.

Objektivi i imi personal do të ishte bashkimi i aftësive, vlerave dhe ideve të ndryshme për me krijuar së bashku diçka të mrekullueshme./Botapress/