[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Demarkacioni pjesë e agjendës politike në vitin 2017



Duke e konsideruar si problemin kryesor që qytetarët e Kosovës nuk e kanë fituar ende liberalizimin e vizave, drejtuesit e institucioneve të Kosovës kërkojnë që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të përmbyllet sa më shpejt.

Por kthimi i kësaj çështje në Kuvend duket i vështirë, duke pasur parasysh edhe mungesën e votave, edhe kundërshtimin e opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti nuk është në dijeni kur do të jetë kjo çështje në agjendën e Kuvendit, por thotë kurdo që të jetë duhet të trajtohet me seriozitet.

“Nuk di nëse do të vijë apo jo, por kurdo që do të vijë nga Qeveria ne do të jemi të detyruar ta hedhim në votim”, tha Pajaziti për Radio Kosovën.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati e konsideron të gabuar qëndrimin e opozitës që e quan të vdekur këtë marrëveshje, por megjithatë, pranon se nuk është i lehtë ratifikimi i saj.

“Ajo do të vijë në rend dite atëherë kur besohet se janë votat. Unë do shprehi keqardhjen time nëse nuk bëhen”, tha Ferati.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje thekson se edhe përkundër gatishmërisë së Malit të Zi për ta rishqyrtuar këtë çështje, Qeveria për shkak të kryeneqësisë së vetë dhe për shkak të mbijetesës politike nuk e ka rishqyrtuar këtë marrëveshje. Andaj, sipas saj, edhe nuk guxon ta risjellë në Kuvend një çështje të tillë.

“Çfarëdo tendence për ta risjellur atë marrëveshje në Kuvendin e Kosovës natyrisht se do të prodhojë tensione të reja. Ndoshta do të jetë situiata edhe më e tensionuar sesa ato që i kemi parë në vitet e kaluara. Dhe për çfarëo që ndodhë në vend, mbetet përgjegjëse qeveria, ngase ka pasur mjaftueshëm kohë që të njëjtën marrëveshje ta rinegociojë”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.

Ndërsa deputeti i Nismës, Zafir Berisha nuk beson se demarkacioni do të rikthehet në Kuvend, por thotë se kryeministri po e ngritë këtë temë për të krijuar mjegull në temat tjera sikur që është ngritja e murit në veri të Mitrovicës.

“Unë nuk besoj, sepse kemi vetëdijësim tash edhe të një numri të deputetëve të mazhorancës të cilët nuk do të pajtohen me marrvëeshje të cilat i shesin mbi 8 mijë hektarë Malit të Zi. Çështja e demarkacionit gjatë gjithë kohës është përdorur për të lënë çështje jetike nën hije dhe kjo qeveri të mbijetojë në këmbë të drurit siç thotë populli”, tha Berisha për Radio Kosovën.

Ndryshe, në 1 shtator të vitit që lam pas, Kuvendi bëri përpjekjen e fundit për ta ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, por në atë seancë me kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa kjo çështje u hoq nga rendi i ditës pasi Lista Serbe njoftoi se nuk do të shkonte në seancë, e po ashtu nuk ishte e sigurtë edhe vota e disa deputetëve nga radhët e koalicionit qeverisës.  Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacionit, bashkë me mungesën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë bërë shkas për shtyrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. /rtk/