Kamerat e sigurisë kanë ndihmuar për të zbardhur të gjithë skemën e plotë të ekzekutimit të Bledar Birçajt mesditën e kësaj të hëne në Vlorë, në zonën e quajtur ‘Bishti i Kalldrëmit’.
Siç shihet në pamje e publikuara sot në emisionin ‘Opinion’, viktima po udhëtonte me mjetin “BMW”, teksa një makinë tjetër ngjyrë të bardhë po i priste e parkuar. Sapo mjeti BMW ka mbërritur pranë karburantit, dalin nga makina 2 persona, të maskuar e të armatosur duke qëlluar me breshëri në drejtim të shoferit dhe më pas kanë nxituar që të largohen nga vendi i ngjarjes. Në tentativë e sipër duke u larguar, një prej autorëve i bie arma nga duart dhe kthehet për ta marrë pas shumë pak sekondash.
Nga makina e Birçajt, del një person, i cili me vrap largohet teksa në duar mban diçka, që është e vështirë për t’u dalluar në pamje. Ky person është dëshmitari kyç i kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai është ndaluar nga policia, ku është marrë në pyetje. E gjithë skena ka ndodhur në mes të ditës, rreth orës 13:00, ku shihet që ky moment ka shkaktuar panik të madh te qytetarët që po kalonin dhe drejtuesit e mjeteve.
Pista kryesore e hetimit janë konfliktet që 38-vjeçari mund të ketë pasur në Spnjë, prej nga ishte kthyer prej mëse 1 muaji. Në drejtim të automjetit është qëlluar mbi 10 herë ndërkohë që në trupin e viktimës mendohet se janë konstatuar deri në 7 plumba duke e lënë të vdekur në vend.