Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj është raportuar dje në media se po kërkohej nga Policia për shkak se nuk i kishte dorëzuar tabelat zyrtare diplomatike.
Por, ish-ambasadori Dedaj e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai është shfaqur para bustit të Gjergj Kastriotit në Prishtinë ku ka deklaruar se nuk ka problem me ligjin.
Dedaj e ka përmendur edhe shkarkimin e tij nga detyra e ambasadorit duke thënë se presidentja Osmani ka bërë një krim ndaj tij me këtë vendim.
“I kam kaluar 67 vjet dhe kurrë në jetën time policia s’më ka kërkuar përpos policisë serbe që më ka arrestu kur kam udhëhequr mbi 60 demonstrata. Asnjëherë s’jam kontaktu nga Policia, kjo është tendencë për me njollosë figurën time të pastër e cila që 32 vite nuk është përfolur për asgjë.Është tendencë për të mbuluar krimet që kanë bërë Vjosa Osmani në rastin e shkarkimit tim skandaloz, kanë bërë krim mbi mua, familjen time, sepse ishte shkarkim i dhunshëm dhe revansh politik.Dhe për këtë shumë shpejt do të marrë një vendim Gjykata në Prishtinë”, tha ai për Indeksonline.
Tutje ai shtoi se për këtë kanë bërë këtë spekulim.
“Sepse çështja e tabelave kam pasur regjistrim deri më 31 dhjetor dhe duhet të dorëzohen në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut e cila i ka dhënë.Janë tabela private i kamë paguar unë, s’është pagu asnjë cent nga buxheti i Kosovës.Unë s’jam person privat, kur je njëherë ambassador je gjithmonë ambassador e unë kam qenë për 32 vite ambassador”, tha ai.