Plani franko-gjerman është një nga propozimet në dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa një tjetër marrëveshje është propozuar nga kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti.
Të dyjat, sipas raportimeve, kanë pak nene, megjithëse kuptueshëm dallojnë në përmbajtje. E gjithë përmbajtja është mësuar nga raportimet në media, deklarimet publike të zyrtarëve qeveritarë e opozitarë, pasi ende nuk ka ndonjë publikim zyrtar të planit franko-gjerman.
Përleshje mes disa personave në Pejë, theret me thikë një fëmijë
Por, e përbashkëta e tyre është synimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Se ka dy propozime në tavolinë në Bruksel e tha dje edhe vetë z.Kurti, duke theksuar se dialogu parimor, paqja e siguria shkojnë bashkë.
“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.”, shkroi Kurti, pak para se të udhëtonte në Paris.
Në mënyrën se si Kurti formoloi fjalinë lë të nënkuptohet se këto dy propozime janë rivale, paralele. Pra, duket se korniza e Kurtit nuk është e përfshirë në planin franko-gjerman, duke u “pozicionuar” si dy propozime të ndara.
Plani vs Korniza
Nga pushteti aktual, për planin franko-gjerman kanë folur kryeministri Kurti, Glauk Konjufca, Besnik Bislimi.
Megjithatë, plani franko-gjerman i publikuar nga mediumi Euractiv ka vetëm 9 nene, ndërsa propozimi i Kurtit, i propozuar më 18 gusht të këtij viti, ka 6 kapituj.
Përderisa plani franko-gjerman quhet traktat (sipas raportimit të Euractiv), propozimi i kryeminsitrit quhet kornizë.
“Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale e të mira fqinjësore me njëra tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.”, thuhet në nenin 1 të planit franko-gjerman, gjersa në nenin 2 përmendet aspirata e dy vendeve për anëtarësim në BE.
Në nenin 3, në këtë plan theksohet se Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhen të gjitha problemet me mjete paqësore, duke theksuar se të dy palët vazhdojnë me supozimin se nuk mund të përfaqësojnë asnjërën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.
“Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.”, thuhet në nenin 6.
Në planin shumë të diskutuar franko-gjerman theksohet se Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë misione të përhershme, që do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse.
“Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.”, shkruhet në nenin 9 dhe të fundit të planit franko-gjerman.
Ndërsa, për kornizën e përgjitshmë për normalizim të marrëdhënieve, Kurti më gjerësisht, duke elaboruar se çfarë përbëjnë 6 kapitujt e propozuar nga ai.
Sipas Kurtit kjo marrëveshje do të jetë gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative.
“Kemi elaboruar në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve e kontekstin ndërkombëtar, që nënkupton në njërën anë njohje reciproke e në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike dhe artefakteve arkeologjike e etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për të ardhmen, që ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit me dy vendeve. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat e të ardhmes, që kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit”, theksonte Kurti.
Tutje, Kurti theksoi se në këtë kornizë përcaktohet trajtimi i barabartë i pakicave, duke paraparë vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve.
“Në kapitullin e katërt kemi ofruar trajtimin e barabartë të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të konsiderojmë marrëveshjet e deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre, siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejlaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes finale ligjërisht të obligueshme e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit ka të bëjë me vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit. Ka qenë pritja jonë që pika e parë e agjendës të konsumonte pjesën më të madhe të kohës, e për këtë arsye kemi qenë të gatshëm të qëndrojnë përtej të enjtes”, sqaroi Kurti.
Kurti ka udhëtuar drejt Parisit, ku do të marrë në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emanuel Macron. Në një video të publikuar para udhëtimit, Kurti paralajmëroi se mund të ketë edhe një takim mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, Kurti më 19 korrik të vitit 2021, në një takim me Vuçiqin në Bruksel, kishte propozuar edhe një Deklaratë të Paqes me gjastë nene, për zotim për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave të njeriut.
Kujtojmë se, në Paris po qëndron edhe presidentja Osmani, e cila tok me Kurtin, takoi presidentin francez Macron dje pasdite.