[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Dabati / Si u bënë TV-të e mëdha fabrika gënjeshtrash?



Historia e “familjeve pronare” të mediave që po përgatiten të masakrojnë Tiranën me kulla

Në një përpjekje për të shpjeguar krizën e TV-ve tona të shitura tek pushtetet, gazetari Mentor Nazarko ka hedhur sot një ide të re që përpiqet ta gjejë atë tek botuesit ndërtues apo tregtarë që janë pronarë të vetëm të mediave. Ai është rekur të shpjegojë se në një mjedis ku nuk është e mirëpritur kultura e ndërmarjeve me shumë aksionerë edhe mediat me një pronar do të shtrëmbrohen dhe do të bëhen me vulnerabël ndaj pushtetit apo kryeministrave të radhës. “Ne nuk kemi kapitalizëm aksionar, nuk kemi masivisht kapitalizëm prodhues, që është cilësi e një stadi më të avancuar të ekonomisë dhe shoqërisë. Nëse pronarë të mediave do të ishin disa apo shumë aksionerë me interesa dhe qasje të ndryshme ndaj lirisë së medias, afërmendsh që media vetë do të ishte më plurale në produktin e vet për publikun. Por jo vetëm kaq. Një media me shumë aksionerë që vijnë nga biznese të ndryshme, do të ishte shumë më e fuqishme përballë presionit eventual të qeverisë, për t’i shtënë në kontroll” shkruan Nazarko tek Panorama.

Dhe duke pretenduar se ka gjetur një këndvështrim të ri Nazarko thotë: “Të tentosh të shpjegosh çfarë po ndodh, vetëm me analizën e profilit psikologjik të pronarëve të caktuar, apo të kryeministrave të radhës, do të thotë të preferosh psikologjinë si shkencë për të analizuar marrëdhëniet ekonomike. Nuk është krejt gabim, por ama do duhet të kuptosh dhe marrëdhëniet ekonomike në kapitalizmin foshnjor shqiptar”.

Por, sado e goditur të jetë “shpikja” e Mentor Nazarkos ajo mundohet të zbusë raportin okult kryeministër – pronar mediash në Shqipëri.

Jo problemi i degjenerimit të mediave shqiptare rnuk është tek mungesa e kulturës për ndërmarje me shume aksionerë. Ligji i mediave audiovizive deri pak kohë më parë e ndalonte psh që familjet Hoxha dhe Frangaj të kishin kontrollin e plotë të Televizioneve Top Channel dhe Klan. Ligji shqiptar e ndalonte gjithashtu që ato të kishin si prona, tv lokale. Ai i kufizonte në marrjen e licencave dixhitale. Sepse fryma e ligjit ishte se këto TV të paisura me liçenca kombëtare ishin pasuri publike dhe jo fabrika parash ne dorë të familjeve të veçanta.

Por, për një kohë të gjatë politika, edhe PD edhe PS e toleroi këtë anomali për ta pasur si mjet shantazhi për TV që nuk i bindeshin. Kur Rilindja erdhi në pushtet, ajo mori një nismë me anë të deputetit Taulant Balla për të shfuqizuar nenin 62 të ligjit për mediat audiovizive. Dhe ky nen ishte një nen themelor që garantonte pluralitetin e mediave të mëdha në vend. Ai kufizonte, për shembull, që një televizion kombëtar të kontrollohet nga një pronar i vetëm (maksimiumi i aksioneve të lejuara në shoqëri nuk mund të jetë më shumë se 40%). Ai kufizonte gjithashtu, që i njëjti pronar të ketë shumicën e aksioneve në një televizion lokal e kështu me rradhë. Pra në thelb ai pengonte përqëndrimin e armëve të propagandës në një dorë të vetme. Në këtë kuptim ai ishte një garanci në shërbim të publikut, kundër monopoleve në media. Por kjo niisme e socializtëve u atakua fuqishëm nga OSBE dhe Këshilli i Europës. Ato ngritën alarmin në mes të Tiranës kundër përqëndrimit të pushtetit mediatik në duart e një numri të kufizuar pronarësh.

Ashtu siç ndodh gjithnjë ky lajm u zhduk nga mediat. Për të shkroi përpos Lapsi.al (lexo shkrimin poshtë) vetëm ndonjë gazetë online.

Të zbythur përpara presionit socialistët hoqën dorë nga shfuqizimi i këtij neni. Por jo nga realizimi i qëllimit. Ata përdorën të gjithë influencën e tyre në gjyqësor, që neni i famshëm 62 të shfuqizohej. Dhe kështu shoqata e mediave elektronike, e kryesuar nga Aleksandër Frangaj dhe e mbështetur nga pushteti e arriti këtë qëllim përmes gjykatës Kushtetuese.

Prej disa muajsh tani famijjet pronare, i kanë në përdorim edhe ligjërisht televizionet kioska, për t’I shfrytëzuar në interes të masakrës që po i përgatitet Tiranës përmes planit rregullues.

Pra kjo kronologji, e “ekzekutimit” të një neni në favor të publikut, nga bashkëpunimi i ndyrë i tre pushteteve, atij mediatik, Politik dhe gjyqësor, tregon qartë se fajin për lidhjet e mediave me politikën dhe për pazaret që ky binom bën në kurriz të shqiptarëve, nuk e ka fajin as kultuar e mangët e shoqërisë, as kapitalizmi ynë në fazë para aksionare siç thotë Mentor Nazarko.

Ajo është një lidhje e politikanëve hajdutë me oligarkë të pangopur që ndodh rëndom në të gjitha vendet ku demokracia ka përfunduar në rregjim autoritar. (Lapsi.al)