Iniciativa “CorrWatch” ka shprehur shqetësim për mbylljen dhe mungesën e transparencës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në proceset e rekrutimit për disa pozita kyçe.
Sipas “CorrWatch”, këto ministri po pengojnë monitorimin e proceseve për pozita si drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, sekretar të përgjithshëm në MFPT, drejtor ekzekutiv në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, dhe drejtor ekzekutiv në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
“Në rastin e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë e Punësimit, ‘Corrwatch’ është njoftuar që njësia përgjegjëse është duke pritur përgjigje nga ministri i MFPT. Për pozitën e drejtorit ekzekutiv në AQP dhe sekretarit të përgjithshëm në MFPT, ‘Corrwatch’ nuk ka marrë asnjë përgjigje si dhe nuk është njoftuar për ta monitoruar procesin. Në MINT janë përgjigjur se do të lejohet monitorimi vetëm në fazën e verifikimit paraprak. Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit, ‘CorrWatch’ nuk është ftuar për monitorimin e fazën e verifikimit paraprak”, thuhet në reagim.
Kjo praktikë, sipas tyre, është e kundërligjshme dhe rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike për shkak të ndikimeve politike dhe personale.
“CorrWatch” ka kërkuar të monitorojë këto procese, por nuk është njoftuar për asnjë fazë të procedurës.
Ata kanë theksuar se monitorimi nga shoqëria civile është i garantuar me ligj dhe kërkojnë që ministritë të respektojnë këto garanci dhe të sigurojnë një proces të hapur dhe të drejtë.