Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka deklaruar se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”.
Knaus thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”, duke komentuar kështu deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar.
“Ne e kemi parë raportin dhe kushti i Asociacionit përshkruhet si diçka e dëshirueshme. Kosova e ka pranuar se është diçka për të cilën po negocion me mirëbesim. Por, nuk mund të jetë parakusht për pranim [në Këshill të Evropës], sepse nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia. Dhe, Serbia e ka bërë shumë të qartë se nuk do që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Të drejtat e pakicave janë kusht i Këshillit të Evropës, por mënyra se si garantohen të drejtat e pakicave, mekanizimi… dallon në të 46 shtetet anëtare. Nuk ka asnjë asociacion të ngjashëm si kërkesë në asnjë shtet tjetër anëtar. Pra, do të ishte e çuditshme, për të mos thënë e padrejtë, nëse ky vendoset si kusht. Nga bisedat e mia me shumë parlamentarë, kam përshtypjen se edhe ata e shohin kështu.
Të thuhet se ky është parakusht për Kosovën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës – e ai varet nga marrëveshja me Serbinë, ndërsa Serbia do që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës – i jep Serbisë veto. Kjo nuk funksionon kështu.”- tha ai ka mes tjerash në një intervistë për REL.