Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku ka folur lidhur me zgjedhjen e Memli Krasniqit në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
Çitaku, e cila sot ka konfirmuar rikthimin e saj në PDK tha se kjo Konventë ka qenë e jashtëzakonshme, por gjithashtu ka thënë se PDK duhet të jetë në gjendje t’i ofrojë alternativë qytetarëve të Kosovës.
“E vërteta është se kjo ka qenë Konventë e jashtëzakonshme për shkak të zhvillimeve të vitit të kaluar, sigurisht që, ky është vetëm fillimi i një procesi të thellë të reformave, PDK duhet të jetë në gjendje t’iu ofrojë alternativë qytetarëve të Kosovës dhe e ka kuptuar se ndryshimet nominale nuk janë të mjaftueshme kur nuk janë përmbajtësore.”, tha Çitaku.
Më tutje, e pyetur lidhur me pozitën që do të ketë në PDK, Çitaku tha se idetë janë më të rëndësishme dhe se do t’i kontribuoj partisë lidhur me çështje të ndryshme.
“Për mua idetë gjithmonë kanë qenë më të rëndësishme sesa pozitat, unë synoj që brenda PDK’së t’i shtyej përpara pikëpamjet e mia, PDK’ja duhet të ngritet, të adaptohet me kërkesat e gjeneratës së re si dhe të qëndroj në parimet e veta të orientimit por t’i rishikojë disa pozicione të kaluara. Unë mendoj që Memli Krasniqi e ka pasur guximin t’i hyjë kësaj gare dhe unë pres që ky proces i reformave të ndikojë pozitivisht, por gjithësesi nuk do të duhej të fillonim gjykimin tani.”, tha Çitaku. /Botapress./