Një kabllogram i CIA-s i botuar së fundi nga gazeta New York Times, nxjerr në pah problemin e madh që ka pllakosur agjensinë amerikane të inteligjencës prej disa kohësh.
Dhjetëra agjentë të saj, e sidomos informatorë janë burgosur apo ekzekutuar në pikat më të nxehta të globit, dhe dyshimet kryesore janë ato të një loje të dyfishtë.
Kabllograma specifikon numrin e informatorëve të zhdukur, e kjo është shumë e pazakontë për agjencinë, çka dëshmon qartë se çështja është më urgjente nga sa mund të mendohej.
Këto dekadat e fundit, fokusi i aksionit amerikan të kundërspiunazhit ka qenë lufta kundër organizatave terroriste në Lindjen e Mesme, e kjo ka bërë që të lihen disi jashtë vëmendjes sektorë tradicionalisht të mbuluar si Rusia dhe Kina, të cilët janë bërë më problematikë në raport me rekrutimin, raporton TCH.
Reklamë
Kabllograma e pranon se CIA nuk ka shkëlqyer shumë në drejtim të rekrutimit kohët e fundit. Avansimi i madh i teknologjisë nga ana tjetër ka bërë që hendeku mes Amerikës e vendeve të tjera sa i takon modernizimit të inteligjencës të zvogëlohet.
Nga ana tjetër, edhe hakerat në vendet rivale po dëshmohen një problem. Në të paktën dy raste ata kanë zbuluar mesazhet e koduara e kjo bëri që dy informatorë në Iran dhe Kinë të kapeshin e të ekzekutoheshin.