Ishte 13 korriku i 2020-ës ku brenda 24 orëve në Kosovë, u regjistruan gjashtë vdekje dhe 187 raste të reja me COVID-19.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, qeveria e të cilit ishte rrëzuar muaj më parë konsideronte se ekzekutivi që e pasoi atë, në krye me Avdullah Hotin, po bënte krim mbi qytetarët për shkak të keq menaxhimit të pandemisë.
Njëjtë me shefin partiak mendonte edhe Hajrulla Çeku, ministri aktual i Kulturës teksa thoshte se qytetarët nuk duhet pritur asgjë nga qeveria, e cila nuk ka ide e as vullnet të merret me pandeminë, njofton Klan Kosova.
E pakënaqur me situatën e asaj kohe ishte edhe kolegia e tij, Albulena Haxhiu, e cila për të bërë krahasim, thoshte se qeveria Kurti 1 ishte shembull për menaxhimin e pandemisë.
Fiks një vit nga ky shkrim i tashmë ministres së Drejtësisë, Kosova në 24 orët e fundit është shteti me më së shumti infektime për një milion banorë në botë.
Por, në ditën kur u regjistruan 18 vdekje dhe 1 mijë e 891 raste pozitive, megjithatë nuk pati reagime nga ajo e as nga Çeku.
Ish kryeministri, Avdullah Hoti, thotë se pushteti i tanishëm, kishte shfrytëzuar politikisht pandeminë për të sulmuar qeverinë e tij.
“Duke shfrytëzuar numrin e rasteve me fatalitet në verën e vitit të kaluar, shumë prej tyre shanin dhe kërkonin dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë duke ia shtrembëruar mbiemrin në formë fyese. Në studio të disa medieve në atë kohë bëhej thirrje për arrestimin tim. Në raportimin në Kuvend për 100 ditë të qeverisjes, kryeministri aktual krahasonte shifrat e të infektuarve dhe atyre me fatalitet në ditët kur e mori detyrën në fund të marsit 2021 me shifrat pas 100 ditë të qeverisjes për të treguar se si po e menaxhojnë pandeminë. Sot, ky dhe ata që i shkojnë pas janë të gjithë të heshtur”, është shprehur ai.
Një ditë më herët, disa prej anëtarëve të kabinetit qeverisës, lavdëruan punën e ministrit, Vitia, duke thënë se i heqin kapelën për punën që ai ka bërë.