Çfarë po ndodh me grurin? Ekspertët: Kriza e urisë do të thellohet në mbarë botën

Përafërsisht 20 milionë tonë drithë gjenden në Ukrainë, me pak rrugëdalje nga ky vend. Është një krizë që po e mbyt ekonominë e Ukrainës dhe po ndërpret pjesën tjetër të botës nga furnizimi me drithëra.

Ndryshe, Ukraina siguron rreth 10 për qind të sasisë globale të eksporteve të grurit dhe pothuajse gjysmën e vajit të lulediellit në botë. Krahas Rusisë, Ukraina e bën këtë rajon një nga “shportat e bukës” në botë.

Mirëpo lufta që Rusia i hapi Ukrainës dhe sanksionet e vendosura kundër rusëve kanë goditur eksportet bujqësore nga i gjithë rajoni i Detit të Zi.

Këto produkte mund të zëvendësohen në tregun global, por me një kosto, shkruajnë mediat e huaja.

Kështu, ushqimi bëhet më i vështirë për t’u siguruar për vendet e varfra dhe për njerëzit e varfër në vendet e pasura. Sipas ekspertëve kjo mund ta thellojë krizën e urisë në të gjithë botën.

Agjencitë ushqimore të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se 49 milionë njerëz në 46 vende janë në rrezik që të goditen nga niveli i lartë i urisë këtë vit.

Sipas të dhënave, Ukraina eksportoi shumë nga prodhimet e saj të vitit 2021 përpara fillimit të agresionit të Rusisë, duke përfshirë shumë grurë, por disa prej tyre, dhe produkte si misri, janë ende në ruajtje.

Veç kësaj, tani korrjet e këtij sezoni po fillojnë, por me hapësira të kufizuara për të vendosur të korrat e reja.

ngjashme