Para se të vritej, ndaj kolonel Tahir Zemajt ishin bërë edhe disa tentim atentate të tjera. Njërin nga to e ka kujtuar veprimtari i LDK-së, Naser Rugova, i cili ka thënë se Zemajn e ka pasur mik të ngushtë.
Ndërsa si mjek me profesion i kishte rënë rasti që t`ia mjekonte plagët pas tentim atentatit të dytë.
”Kolonel Tahir Zemajn e kam pasur mik të ngushtë, ai ishte i vetëdijshëm se fara e keqe kishte bërë përpjekje dhe përpiqej të ja shuante jetën. Pas tentim atentatit të dytë ndaj kolonelit në Pejë, erdhi që ti pastroj plagët në poliklinikën që e menaxhoja unë, pasi u trajtua nga Dr. Bedri Braha, biseduam për një kohë dhe na tha: “Unë nuk i kam borxh askujt, kam bërë punën time si oficer profesionist, kam qenë, jam dhe do jem gjithmonë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës , e kam njohur dhe e kam ende Komandant Suprem Presidentin Rugova, andaj nuk ka forcë që më ndalë nga rrugëtimi im””, ka cituar Rugova fjalët e kolonelit.
Sipas Naser Rugovës, heshtja e kësaj vrasje dhe vrasjeve të tjera të burrave më të shquar të kombit tonë, është pikë e zezë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe e shtetit të Kosovës!
“Shumë gjëra tanimë janë zbardhur, ka fakte dhe dëshmi të mjaftueshme, se pse drejtësia nuk vepron vërtetë është mister! Por e vërteta do të zbardhet, shpata e drejtësisë do i godas kriminelët, nuk ka pajtim dhe qetësi në shoqërinë kosovare pa u zbardhur të gjitha vrasjet dhe eliminimet e figurave të rëndësishme si gjatë ashtu edhe pas luftës. Besoj shumë se nuk është e largët ajo ditë!”, është shprehur ai.