[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Çaushi: Protestat në Gjakovë, simptomi më i qartë i padrejtësisë



Në lidhje me protestën e sotme në qytetin e Gjakovës para kishes ortodokse ka reaguar edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi.

Ai permes rrjetit social Facebook ka thënë se këto protesta dëshmojnë faktin e dhimbshëm që për viktimat e gjenocidit serb në Gjakovë drejtësia ende nuk është vënë në vend.

Më poshtë mund të shihni reagimin e plotë të Çaushit:

Protestat e përvitshme të qytetarëve të Gjakovës para kishes ortodokse mbi të gjitha dëshmojnë një gjë: faktin e dhimbshëm që për viktimat e gjenocidit serb në Gjakovë drejtësia ende nuk është vënë në vend.
Këto protesta janë simptomi më i qartë i padrejtësisë.

Në këtë kontekst, të konstatosh një xham të thyer të autobusit si fatkeqësinë e ditës, në mesin e një tragjedie që vazhdon të rëndojë mbi qytetarët e Gjakovës, e për të cilën arsye këta qytetarë vit pas viti protestojnë, është absurditet i dorës së parë.
Përkundrazi, fatkeqësia sot është se këto protesta duhet të vazhdojnë dhe se aty arrestohen pesë gra e nëna që në mënyrë të qetë kërkojnë drejtësi.

Sa i takon të ashtuquajturve pelegrinë, ajo që të gjithë e dijmë është që në mesin e tyre rregullisht kemi ish zyrtarë të Komunës së Gjakovës dhe ministra serb që mbajnë përgjegjësi për krimet e kryera nën pushtetin e tyre dhe që qëllim jetësor kanë luftimin e Shtetit të Kosovës.
Çka mund të jetë më ofenduese për qytetarët tonë se kjo?

Viktimave dhe familjarëve të tyre nuk iu mungojnë argumentet e dosjet për të sjellur kriminelët para drejtësisë.
Mungon shteti dhe vullneti insititucional për drejtësi.
Nëse për 17 vite asnjë nga qeveritë e pasluftës nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ndjekjen e kriminelëve që kryen krime në qytetin e Gjakovës, janë këta qytetarë që për çdo vit, duke protestuar në shi e në borë, na rikujtojnë padrejtësinë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.
E për këtë atyre u takon vetëm respekt dhe përulje.