Buxhovi: Partia e Albin Kurtit të mos kthehet në parti lideriste e totalitare

Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi në një intervistë për “Përballje” në Telegraf me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për zhvillimet politike në vend, për qeverisjen e LVV-së dhe reformat që duhet t’i bëjë brenda ky subjekt, sikurse edhe LDK-ja.

Duke folur për qeverisjen aktuale të LVV-së, Buxhovi tha se është mirë që ka ndodhur ky ndryshim.

“Vitin e kaluar ndodhi një kthesë dhe erdh një ndryshim. LVV me marrjen e mbi 50% dhe marrjen e pushtetit, në kuptimin e zhvillimeve politike është një kthesë shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë një parti politike e fiton të drejtën që legjislacionin në mënyrë parlamentare ta drejtoj në mënyrë të pavarur, sepse në një farë forme ajo nuk ka nevojë as për opozitën. Në këtë formë unë e kam përkrahë ndryshimin. Ndryshimi nuk mund të jetë çështje e zëvendësimit të një pushteti me një tjetër, pushteti veçmas në këto rrethana duhet të shikohet si kauzë e jo si një sprint 100 metra siç ndodhi me koalicion LVV-LDK”, tha Buxhovi.

Ai shtoi se duhet më së paku një vit që ta testojmë këtë qeverisje. Duke komentuar kritikat që po i bëhen LVV-së për emërime partiake, Buxhovi u shpreh se “çdo parti mbështetet në masë të madhe  militantët e vet te kilentela e vet, dhe duhet të jemi realist këtu. Edhe LVV por edhe çdo parti tjetër ka obligim ndaj militantëve. Duhet të jemi kritik, nëse vendos familjarë dhe njerëz që nuk janë profesionistë, janë pjesë e nepotizmit, strukturave kriminale etj”.

Historiani Jusuf Buxhovi gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Historiani Buxhovi më tej gjatë kësaj interviste u shpreh se LVV me sjelljet që ka tash është në kufijtë e egocentrizmit, dhe kjo është mirë.

“Shteti i Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarizmit, shteti i Kosovës kurrsesi nuk bënë të futet në pazare të ndryshme, siç ndodhi para 6 viteve me Thaçin e Vuçiqin që u hap çështja e ndryshimit të kufijve”, tha Buxhovi në intervistë për Telegrafi.com

Buxhovi tutje tha se edhe LVV ka nevojë të bëjë reforma të brendshme dhe të mos mbështet vetëm te lideri.

“LVV të bëjë reforma të brendshme dhe të mos mbështetet vetëm te lideri. Të mos shndërrohet në parti lideriste dhe totalitare.  Edhe LDK duhet të reformohet dhe të krijojnë një kulturë tjetër politike në vend të kemi dy pole e djathta dhe e majta”, u shpreh Buxhovi.

Ai foli edhe për LDK-në dhe zgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të këtij subjekti.

Buxhovi tha se ka qenë kritik ndaj LDK-së, sepse “LDK është parti historike, dhe ka përgjegjësi që shtetin e Kosovës ta qoj më tutje e jo të veprojë në interesa të individëve të caktuar”.

Historiani u shpreh se me të drejtë LDK-ja është dënuar nga elektorati, pasi që sipas tij ky subjekt ka nevojë për reforma të brendshme.

“Pas dënimit që mori nga elektorati, LDK e hap një faqe të re. Kam insistuar që LDK të mos bëhet pengesë që LVV e cila i kishte numrat të zgjedh parlamentin, presidenten, qeverinë, por të jetë bashkëpunuese në mënyrë që t’i ndihmohet LVV të qeverisë në përputhje me fuqinë e votës. LDK ende nuk është liruar nga fuqia e disa feudeve… dhe kjo parti duhet të reformohet nga brenda. Duhet të filloj reformën e thellë prej degëve e nëndegëve ta ndryshoj statusin”, u shpreh Buxhovi. /Telegrafi/

 

ngjashme