[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Buxheti i FSK-së, sa një e nënta e buxhetit të ushtrisë së Serbisë – kush e ka fajin dhe si mund të ndryshohet kjo?



Buxhetin e ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), njohësit e sigurisë po e konsiderojnë jo të mjaftueshëm për një mekanizëm që po tentohet të bëhet ushtri.

Ekspertët kanë thënë për Telegrafin se buxheti aktual nuk është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e këtij institucioni.

Buxheti i cili është ndarë për FSK-në, gjatë këtij viti është 51 milionë e 35 mijë e 617 euro. Këtë e kanë bërë të ditur nga zyra për informim e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK).

Ata kanë treguar se FSK-ja i ka 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

Nga zyra për informim nuk kanë treguar se sa është numri i armëve që i posedon ky mekanizëm, por kanë thënë se lloji i armëve është i tipit Heckler dhe Colt.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rrustem Berisha, ka thënë se buxheti që është paraparë për këtë vit është 50 milionë euro, dhe sipas tij, ka një rritje në krahasim më pesë vitet e mëparshme.

Por, Berisha mendon se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm, duke theksuar se duhet gjetur forma dhe mënyra tjera për ta rritur këtë buxhet.

“Duhet të kemi buxhet shtesë, qoftë edhe përmes donacioneve të ndryshme, në mënyrë që të ngriten kapacitet e FSK-së, dhe kjo forcë të jetë e gatshme t’i mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, me trendin aktual të rritjes së buxhetit për FSK-në, duhet të kalojnë 10 vite derisa të arrihet niveli i kënaqshëm.

E Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka theksuar për Telegrafin se në mungesë të ndryshimeve ligjore të mandatit të FSK-së, që kanë të bëjnë me transformimin e saj në ushtri, sot sipas tij, është vështirë të flitet se a ka buxhet të mjaftueshëm Kosova për ndërtimin e një ushtrie të qëndrueshme.

Sipas tij, kjo për shkak se është vet korniza ligjore në pajtim me nevojat në terren ajo që e përcakton përmasën që kjo forcë do të ketë.

“Megjithatë një gjë tashmë dihet, ekonomia e Kosovës edhe me tutje mbetet e brishtë, andaj edhe kapacitetet financiare të Kosovës për të ndërtuar një forcë të mirëfilltë brenda një periudhe të shkurtër kohore janë të vogla. Andaj, nëse nisemi nga këndvështrimi i ndërtimit të një force me mjete vetanake, lirisht mund të thuhet se Kosova më së tepërmi do të jetë në gjendje të ndërtoj, është një forcë me kapacitete të kufizuara mbrojtëse”, ka shtuar Vrajolli.

Ai më tutje ka thënë se ajo çka vlen të theksohet është se ndërtimi i sektorit të mbrojtjes tashmë askund nuk është duke u bërë në mënyrë të izoluar e vetanake.

“Përkundrazi, njëra ndër objektivat kryesore strategjike edhe të vetë NATO-s është ndërtimi i një sistemi të integruar mbrojtës në mes të shteteve partnere (të cilat kanë objektiva të përbashkëta dhe ndajnë vlera të përbashkëta). Andaj, edhe ndërtimi i sektorit mbrojtës në Kosovë do të mund të bëhej në këtë formë. Janë të panumërta shtetet të cilat kanë shprehur interesimin në mbështetjen e Kosovës qoftë edhe në sektorin mbrojtës. Këtu vlen të përmendet interesimi që ka ardhur për mbështetje nga SHBA-të, Britania e Madhe, Kroacia, Hungaria, Turqia etj. Megjithatë në mungesë të një institucioni ekuivalent mbrojtës në Kosovë, një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodh deri me tani”, ka theksuar Vrajolli.

Sipas tij, resurset e limituara financiare nuk janë arsyetim pse Kosova deri më tani nuk ka arritur të konsolidoj sektorin e saj mbrojtës, duke shtuar se “është pikërisht mungesa e vendosmërisë e institucioneve Qeverisëse sa i përket vendimmarrjes së pavarur në dobi të interesave të qytetarëve të Kosovës ajo që e ka lënë Kosovën të hyj edhe në vitin 2017 pa ushtri”.

“E ndërkohë që shtetet fqinje e sidomos Serbia gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë qëndruar aspak të fjetur sa i përket forcimit të sektorit të tyre mbrojtës, rezultatet e këtyre vonesave nga ana e Qeverisë së Kosovës tashmë dukshëm po vërehen. Andaj, është me rëndësi që të bëhet presion i theksuar nga opinioni i përgjithshëm që Qeveria e Kosovës të procedoj me transformimin e FSK-së në ushtri sa më parë që është e mundshme. Pasi që vonesat e mëtutjeshme dukshëm vënë në rrezik jo vetëm integritetin territorial te Kosovës, por edhe vet ekzistencën e saj si shtet”, ka shtuar Vrajolli .