Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë me radhë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 103-të, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për Thaçin, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Buja tha se e kishte marrë vesh më vonë që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për Hashim Thaçin e kam marrë vesh më vonë që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm. Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, tha Buja duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace.
Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.
“Realisht e tham më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mujt të bisedoj e që nuk po më kujtohet, ka mujt me e konfirmu zoti Thaçi- në rregull është por që nuk ka qenë urdhër”, tha Buja.
“Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirrë në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, shtoi ai.
Sërish prokurori Pace insistoi se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.
“Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Buja.
Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.
“Për momentin nuk është duke m’u kujtu por unë kam kontaktu edhe me vëllain, edhe me Hashim Thaçin kur ka qenë në Zvicër, edhe me Azem Sylën për të cilin në atë kohë kam supozu që është komandant i përgjithshëm”, tha Buja.
Ai tha se e njeh Hajrush Kurtajn dhe sipas tij ka qenë zëvendëskomandant i Brigadës 162, duke shtuar se nuk i kujtohet se kur e ka marrë këtë pozitë por që mendon se ka qenë fundi i ’98-ës.
Në librin e tij, Kurtaj kishte shkruar se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Shukri Buja kthehet në Kaçanik për të komunikuar vendimin e Shtabit për emërimin e Agim Bajramit si komandant për njësitin e Kaçanikut.
“Kam shkuar (në Kaçanik) edhe për punë tjera por edhe për caktimin e Agim Bajramit si komandant i Njësitit. Kur e kemi emëru dikënd i kemi thënë që je emëru nga Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë që të kemi hapësirën që të mos keqinterpretohen këto vendime. Por, në fakt, Agim Bajramin e kam përcaktu si komandant të njësitit gueril atje dhe jam thirrë në emër të Shtabit të Përgjithshëm. E di që kam komuniku me Azem Sylën edhe në atë kohë nuk e kemi ditë që është komandant i Përgjithshëm, por unë në kthimin në Kaçanik realisht e kam thanë para njësitit apo 3-4 personave të njësitit- Agim Bajrami je i përcaktum nga Shtabi i Përgjithshëm për ta udhëheq njësitin. Nuk ka pas emërim me shkrim, nuk ka pas urdhër por ka qenë komunikim”, tha Buja.
Ky komunikim për emërimin e Agim Bajramit, sipas dëshmitarit mund të jetë në qershor apo korrik 1998.
Si rrjedhojë, libri i Kurtajt u pranua në prova materiale dhe u klasifikua si publik.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari është së bashku me avokatin kujdestar, që është Taulant Hodaj.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.