Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, tha të mërkurën se koronavirusi i ri mund të jetë bërë në laborator për të nxitur luftë biologjike. Komentet e tij ka gjasë që t’i tensionojnë marrëdhëniet me Kinën.
“Është një virus i ri. Askush nuk e di nëse është bërë në laborator apo për shkak se njerëzit hëngrën kafshë që nuk është dashur t’i hanë”, tha lideri i së djathtës ekstreme.
“Por ushtria i di të gjitha rreth luftërave kimike, biologjike dhe radiologjike. A mund të jemi duke luftuar një luftë të re? Hamendem. GDP-ja e cilit shtet u rrit më së shumti”, shtoi ai.
Bolsonaro nuk e përmendi Kinën, por shteti ku filloi pandemia ishte ekonomia e vetme e Grupit G20 që shënoi rritje vitin e kaluar me 2.3 për qind, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Presidenti brazilian dhe rrethi i tij i ngushtë kanë një histori të komenteve nxitëse rreth Kinës, që nganjëherë i kanë përkeqësuar raportet me partneren më të madhe tregtare të Brazilit.
Teoria se koronavirusi ka dalë nga një laborator në Kinë është temë e ndjeshme për Kinën, por temë e preferuar për përkrahësit e Bolsonaros dhe modelit të tij politik, ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Kina e mohon fuqishëm këtë teori.
Përmes një raporti të publikuar në muajin mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka jashtëzakonisht pak gjasa që virusi i ri ta ketë prejardhjen nga një laborator.