Thuajse të gjitha rrugët në Prishtinë janë bllokuar sot. Që në orët e para të mëngjesit njësi të shumta policore janë parë në të gjitha rrugët që qojnë drejt qendrës së kryeqytetit.
E gjithë kjo për shkak të vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Edhe pse Rama në Kosovë erdhi me aeroplanë dhe pika e parë e ndalimit ishte Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari’, të gjitha rrugët u bllokuan për shkak të kalimit të eskortës që solli atë më parë në sheshin ‘Skënderbeu’ apo në afërsi të Qeverisë së Kosovës.
Rruga ‘Agim Ramadani’, rrugët që lidhen nga lagjja Arbëria për në qendër e shumë të tjera ishin të bllokuara për shkak të kësaj vizite.
Siç duket Qeveria e Kosovës i kushtoi kësaj here mjaftë rëndësi ardhjes së Edi Ramës në Kosovë, por nga Njësitë Policore të Kosovës, apo nga Komuna e Prishtinës nuk njoftuan një natë më parë se rrugët në fjalë do të bllokohen.
Lidhur me këtë shumë qytetarë janë ankuar se janë vonuar për të arritur në cakun e tyre për shkak të këtyre bllokimeve./Botapress.info/