ATDHEU ËSHTË I MADH EDHE NË ZEMËR
(Bisedë me Ymer Elshanin)
E diel. Ora 14. Ymerin e thirra në telefon. I thashë: KUR JE I LIRË TË BISEDOJMË… E kam planifikuar të shkruaj për ty.
THA: Shkruaj çka të duash. Ti më njeh mirë. Kemi biseduar njëqind herë… ndoshta diçka të kujtohet nga biseda jonë.
THASHË: Mirë e ke, ty të njoh mirë, por atë Ymerin e vogël nuk e kam njohur.
THA: Ymeri i vogël, ka qenë lazdran i madh. Shpeshherë ka hipur edhe nëpër degë të lisave, edhe nëpër degë të shelgjeve. Ka zënë peshq edhe me sitë, edhe shoshë, edhe me një shportë të vogël. Ka notuar edhe me dy pocërrka…
Kumbullat i kanë pëlqyer shumë…. Ka bërë edhe pekmez. I kanë ruajtur edhe qengjat, edhe delet. Ka vrapuar pas zogjve prej çufrre në çufrrën tjetër. Kur ka qenë në klasën e pestë ka filluar të shkruajë…
MIRË, E SI I LINDI IDEJA?
-Më kujtohet: kam qenë i vogël, nëna më thoshte: Do të bëhesh shkrimtar si daja… e do të shkruash vjersha edhe për lule, edhe për diell, edhe për yje, edhe…
Dhe sa herë që vinte daja në Korreticë, gëzimi rritej… Një mbrëmje me hënë më tha: Shkruaje ndonjë vjershë për
DIELLIN…. Të nesërmen i shkrova dy vargje.
Ia lexova. I pëlqyen shumë. Më përqafoi.
E PËR CILIN DAJË ËSHTË FJALA?
-Për Fazli Greiçevcin. Dihet: UDB-ja e mbyti në burg. Ka qenë edhe dajë i mirë, edhe mësues i mirë, edhe poet i mirë. Shpeshherë më thoshte: ATDHEU ËSHTË I MADH NË ZEMËR… Më kujtohet edhe ajo natë me gunga resh kur e sollën në fshat të vrarë… Kam qarë shumë herë tinëz… Sepse edhe lotët atëherë kushtonin shumë.
SIKUR TË ISHE EDHE NJË HERË I VOGËL, ÇKA?
-Asgjë: Ymer se Ymer.
ÇKA DO TË THOTË: Ymer?
-Dihet: është fjalë arabe, që do të thotë Jetëgjatë.
SA DO TË JETOSH PRA?
-Dëshira është 100 vjet.
NË CILËN KLASË E KE BOTUAR VJERSHËN E PARË?
-Në klasën e gjashtë. Më kanë ndihmuar shumë edhe Vehbi Kikaj, edhe Halil Bogaj.
CILA NGJYRË TË PËLQEN?
-E barit, shumë.
CILI ËSHTË SIMBOLI YT MË I DASHUR?
-Dielli. Vetëm dielli. Një libër e kam shkruar vetëm për diellin. Ndoshta do ta shkruaj edhe një tjetër.
ÇKA MENDON PËR LETËRSINË PËR FËMIJË?
-Kemi letërsi të mirë edhe andej, edhe këndej. Letërsia nuk guxon të ndahet….
KUR SHKRUAN?
-Më tepër natën.
NË FUND DIÇKA PËR YMERIN E MADH?
-Kam lindur në Korreticën e Poshtme të Drenicës. Jam i martuar, ngapak e pi edhe duhanin. Fshatin e dua shumë. Qyteti më pëlqen pak. Jam duke shkruar një roman… edhe diçka tjetër…
GANI XHAFOLLI
“BUJKU” “FAQJA PËR FËMIJË”, E MARTË
30 KORRIK 1996, f.11