‘’Ballkani i Hapur’’-Tema dhe iniciativa e cila zgjoi reagime të shumta nga liderë politikanë të rajonit. Ideja e kësaj nisme u kthye në diskutim në vitin 2018, kur kryeministri shqiptar Edi Rama propozoi një ide të tillë për përmirësimin e marrëdhënieve politike mes vendeve të rajonit, shkruan Gazeta Botapress.
E takimi i parë për këtë nismë u mbajt me 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, pastaj u zhvilluan edhe dy takime tjera mes tre vendeve: Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria, me 11 nëntor 2019 në Ohër dhe 12 dhjetor 2019 në Tiranë.
Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave.
Por si spektatore, përkundër ftesave për t’u bashkangjitur, zgjodhën të ishin Bosnja-Hercegovina, Mali i zi dhe Kosova.
E në Kosovë kjo nismë u kundërshtua nga liderët, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Ishte kryeministri i vendit Albin Kurti që kritikoi nismën duke thënë se kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vucic.
“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, pati thënë Kurti në një intervistë në gusht të këtij viti.
Madje Kurti u lirua edhe në akuza për liderët që bëjnë pjesë në këtë nismë, duke mos kursyer as kryeministrin Rama.
“Ballkani i Hapur” është më shumë si “Ballkani i Hapur” ndaj ndikimeve nga lindja, veçanërisht nga ato ruse. Federata dhe Kina, si dhe të hapura ndaj korrupsionit, kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ne duhet të jemi të hapur ndaj Bashkimit Evropian, jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës”, tha Kurti.
Të njëjtin qëndrim e ndante edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo sot në takim me homologun e saj slloven, tha se ‘’ Ballkani i Hapur shfaq ekspansion të hegjemonisë serbe’’.
Por Kurti nuk hezitoi para dy ditësh të bënte një vizitë te homologu i tij shqiptar, Edi Rama, derisa mbajtën mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, anipse Rama ishte iniciuesi i kësaj nisme që vazhdimisht kritikohet nga Kurti.
Kryeministri kosovar u pa në disponim të mirë, çdokund i shoqëruar nga Rama, pavarësisht se tërthorazi dy liderët adresuan kritika ndaj njëri tjetrit.
Temë nuk ishte Ballkani i Hapur.
E ajo që bie në sy është mospërputhja që kanë Osmani e Kurti për këtë çështje. Kurti, si kundërshtar i madh ndaj kësaj çështje për të cilën nuk hezitoi asnjëherë të kritikonte e të akuzonte Ramën, përsëri për vizitë qëndroi në Shqipëri.
Mospërputhjet e shpeshta të dy liderëve vërehen shpesh për çështje të shumta. ‘Binomi’ del të ketë nganjëherë kundërshtime mbase, por edhe ndërhyrje të mendimeve.
E vetmja gjë që nuk dihet është se a mendon Kurti njësoj se ‘’ Ballkani i Hapur shfaq ekspansion të hegjemonisë serbe’’, edhe para disa ditësh kur zhvilloi takim me Edi Ramën./Botapress.info/