Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e biznese nuk po kanë të ndalur dhe ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fenomen është që jo gjithmonë të dyshuarit kapen, pasi arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë.
Për disa raste të tilla që dyshohen të kenë ndodhur në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit, Policia e ka arrestuar një person, nën dyshimet se i njëjti ka kryer vjedhje. Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar për Sinjalin se bëhet fjalë për Sh.A., i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
I njëjti është identifikuar pasi Policia ka nisur hetimet për zbulimin e tij, që rezultoi me një aksion gjatë ditës së djeshme, ku edhe u kap i dyshuari.
Pas shoqërimit në stacion policor, i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë në lidhje me veprën me të cilën ngarkohet, teksa gjërat që iu janë gjetur gjatë kontrollit policor janë sekuestruar nga i dyshuari dhe pritet t’u kthehen pronarëve legjitim.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ka urdhëruar dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor. /Botapress.info/