Konsumi i energjisë elektrike është rritur gjatë muajve të verës krahasuar me vitet e kaluara. Ndërsa, ngritje e konsumit pritet edhe gjatë dimrit. Kjo pasi thuhet se një numër i madh i qytetarëve të cilët më parë kanë përdorur drutë për t’u ngrohur, tani po ngrohen me kondicionerë dhe pajisje të tjera. Pavarësisht rritjes së konsumit, nuk pritet krizë energjetike gjatë dimrit.
Deri këtë vit, Beqir Igrishta është ngrohur me dru. Megjithatë, sivjet ai po mendon të blejë kondicioner apo pajisje tjera për t’u ngrohur me energji elektrike
Me pelet ngrohemi, por mendoj me bë me rrymë, sepse edhe peleti po shtrenjtohet për çdo vjet”, tha ai.
Edhe ata që janë ngrohur me dru por edhe me pajisje te tjera, po ankohen se faturat e energjisë po u vijnë shtrenjtë.
Mirëpo për dallim nga vitet e tjera, interesimi për të blerë dru ka rënë.
Gjatë vitit të kaluar çmimi i një metri dru sillej nga 60-65 euro. Ndërsa, gjatë këtij viti çmimi i tyre është 50-55 euro. Shitësit thonë se interesimi për të blerë dru sivjet ka rënë.
Me përdorimin e kondicionerëve, është rritur edhe konsumi i energjisë elektrike.
Nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike thonë se krahasuar me tri vitet e fundit, sivjet konsumi ka qenë më i madh.
“Normalisht që përdorimi i koncidonierëve e ka bërë të veten dhe ka pasur edhe rritje të konsumit. Ndërkohë, në këtë periudhë, pra prej 1 deri 11 shtator, konsumi mesatar ditor ka arritur mbi 12 mijë megavat orë. Për këtë periudhë kemi importuar mbi 3.5 milionë euro”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.
Nga kjo kompani kanë thënë se janë të përgatitur në rast se vendi përballet me ndonjë krizë energjetike.
Ministria e Ekonomisë të enjten ka hapur thirrjen përmes së cilës rreth 10 mijë familje do të subvencionohen për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje. /RTK