Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh anëtari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit, shkruan Gazeta Botapress.info
Berisha tha se invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti, e pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndaluar nga rezistenca e pashoq e Ukrainës, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor.
“Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojnë vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.”, tha ai.
Berisha tha se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë të Serbisë nga Kina, duke realizuar pikë për pike planet e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë.Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut.”.