[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Berisha e Topalli shmangin bojkotin e Kuvendit nga PD-ja (Debati)



Partia Demokratike do të intensifikojë betejën e saj parlamentare për kushtëzimin e qeverisë për plotësimin e kushteve të saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi gjatë gjithë ditës së djeshme strukturat kryesore në Partinë Demokratike.

Në mbledhjen e Kryesisë, Bashës iu propozua që opozita të kalonte në bojkot të Parlamentit dhe presion ndaj qeverisë për zgjedhje të lira e të ndershme, të arrihej përmes protestave popullore të njëpasnjëshme.

Propozimet e anëtarëve të Kryesisë, që nga intensifikimi i betejës parlamentare, protestat, bojkoti i Parlamentit dhe deri te shtyrja e zgjedhjeve, Basha ia shtroi për diskutim Grupit Parlamentar demokrat.

Edhe gjatë kësaj mbledhjeje nuk munguan zërat që propozuan bojkotin e Parlamentit dhe shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare. Dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani e artikuluan gjatë diskutimit të tyre në Grup bojkotin e Parlamentit.

Sipas tyre, duhet që opozita të intensifikojë qëndrimin e saj përmes protestave. Por kategorik kundër këtij qëndrimi ishte ish-kryeministri Sali Berisha dhe dy deputetet demokrate, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli.

Sipas Berishës, vendi i opozitës është në Parlament dhe beteja e saj duhet bërë atje për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shkruan “Panorama”. Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, pyeti kreun e opozitës, Lulzim Basha, nëse PD ka kapacitetin për të organizuar protesta të vazhdueshme.

Bregu e kundërshtoi bojkotin e Parlamentit, duke kujtuar se një qëndrim ndryshe i ndërkombëtarëve do ta vendoste në pozita jo të favorshme opozitën. Edhe Topalli kërkoi që të mos bojkotohej Parlamenti, por të intensifikohej përballja me qeverinë, në kohën që ajo e cilësoi si më të keqen e Ramës.

DEBATI NE GRUP 

Lulzim Basha: Të nderuar kolegë, edhe gjatë mbledhjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar kemi diskutuar mbi avancimin e aksionit opozitar në lidhje me plotësimin e kushteve për Reformën Zgjedhore. Jemi në një pikë tejet delikate, kur ka ngelur edhe shumë pak kohë nga zgjedhjet. Gjatë mbledhjes së Kryesisë, një pjesë e mirë e kolegëve kanë parashtruar disa alternativa për radikalizmin e aksionit opozitar, të cilat unë do doja që në mënyrë shumë të hapur t’i diskutojmë bashkërisht për të kaluar në një vendimmarrje që i shërben jo vetëm aksionit tonë opozitar, por edhe qëllimit për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Janë disa alternativa të parashtruara nga kolegët që lidhen me protestat, radikalizmin e qëndrimeve tona, por edhe me bojkot të Parlamentit. Por rrugët dhe aksionin për arritjen e këtij qëllimi madhor për zgjedhjet do të doja t’i diskutonim bashkërisht sot. Pak orë më parë, së bashku me 22 aleatë parlamentarë dhe joparlamentarë kemi firmosur një memorandum, në të cilin kërkojmë votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e ardhshme, si një kusht të panegociueshëm me këtë shumicë.

Genc Ruli: Duhet të kuptojmë që përballë nuk kemi një forcë qeverisëse, por një kartel kriminal. Ne kemi një sërë kushtesh tonat, siç janë kontrolli i financimit të partive, votimi elektronik dhe dekriminalizimi. Aq më mirë që kemi edhe mbështetjen e faktorit të madh opozitar. Për ne, plotësimi i këtyre kushteve është shumë më i rëndësishëm se një datë e përcaktuar e zgjedhjeve. Për mua shtyrja e zgjedhjeve nuk është një gjë e pamundur, përballë kërkesave që ne kemi si opozitë. Rama, kur ishte në opozitë ka folur për bojkot edhe të zgjedhjeve parlamentare. Ne nuk po diskutojmë për të bojkotuar zgjedhjet, por për t’i bërë presion qeverisë për të plotësuar disa kushte shumë të prekshme, jo për opozitën, por për demokracinë në vend. Unë e mbështes edhe një largim nga Parlamenti, nëse ai do të shërbente si mesazh i fortë për maxhorancën. Por nëse do të qëndrojmë në Parlament, s’ka asnjë temë tjetër veç zgjedhjeve dhe kushteve që ne kemi për realizimin e këtyre zgjedhjeve.

Edmond Spaho: Ne kemi bërë një memorandum me 22 parti të tjera politike për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëse kjo nuk pranohet, unë jam që të bojkotojmë Parlamentin. Nëse do të ketë një vendimmarrje që ne të jemi në Parlament, unë gjykoj që të jemi prezentë në komisionet parlamentare, por të mos flasim për asgjë tjetër përveç zgjedhjeve. Pavarësisht ligjeve apo diskutimeve që do të sjellë maxhoranca në Parlament, unë them që misioni i vetëm i të gjithë deputetëve opozitarë në Parlament të jetë artikulimi i kushteve të opozitës për zgjedhje. Në këtë mënyrë, unë mendoj se edhe qëndrimi do të përforcohet, por edhe shumica do të vihet përballë një qëndrimi të prerë opozitar për zgjedhjet parlamentare. Ne e kemi të qartë që me këtë qeveri nuk mund të ketë zgjedhje dhe këtë si përfaqësues të opozitës duhet ta themi në çdo komision parlamentar. Duhet një përshkallëzim i qëndrimeve tona, që mund të nisë që nga bojkoti dhe deri në protesta masive.

Edi Paloka: Duhet që të rrisim presionin, që faktori ndërkombëtar ta dëgjojë dhe ta mbështesë çështjen tonë. Po flasim për një gjë që lidhet drejtpërdrejt me demokracinë në vend. Po nuk pati garanci edhe për mënyrën se si votohet, çfarë gjëje tjetër mund të kërkosh në këtë vend, kur s’ke garanci as për demokracinë? Unë jam që të ketë një përshkallëzim të qëndrimeve që ne do të mbajmë. Fillimisht kërkesat tona t’i parashtrojmë dhe të kërkojmë plotësimin e tyre nga Parlamenti, më pas, nëse nuk ka reflektim, të kalojmë në protesta dhe bojkot të jetës parlamentare.

Aldo Bumçi: Unë nuk jam kundër protestave, madje ato do të ishin shumë mirë, nëse do të ishin të vazhdueshme dhe masive, por problemi është që njerëzit duhen motivuar. Ne duhet t’i motivojmë njerëzit dhe t’i frymëzojnë, në mënyrë që ata të dalin dhe të na mbështesin. Për ne vëmendja kryesore duhet të jetë përballja në institucionin e Kuvendit me këtë maxhorancë. Ajo ka treguar që nuk dëshiron të zhvillojë zgjedhje me standarde, sepse ka siguruar forma të tjera me të cilat do të arrijë të blejë zgjedhjet.

Arben Ristani: Duhet përshkallëzuar aksioni opozitar, në gjykimin tim. Që nga protestat dhe deri te bojkoti i jetës parlamentare. Ata kanë treguar se nuk kanë ndërmend të reflektojnë. Edhe ne nuk kemi pse i presim më. Nëse kushtet që janë artikuluar nga opozita nuk gjejnë një mbështetje, ne të kalojmë në një tjetër marrëdhënie me Parlamentin. Të kalojmë në bojkot parlamentar, në mënyrë që kjo maxhorancë të kuptojë që nuk mund të luajë me demokracinë në vend, pavarësisht garancive që ka marrë për mënyrën se si do t’i fitojë zgjedhjet.

Majlinda Bregu: Ka një problem në propozimet që po bëhen këtu. Ne nuk mund të shkojmë si papagaj në çdo mbledhje komisioni dhe të përsërisim të njëjtat gjëra vazhdimisht. Ne e kemi një qëndrim që e kemi publik dhe duhet të gjejmë format për t’iu imponuar shumicës për arritjen e këtyre kushteve. Por praktika e të shkuarit në komisione për të thënë të njëjtat gjëra, besoj se do të na bënte qesharakë përpara publikut dhe çdokujt që na sheh. Edhe vëmendje mediatike nuk merr dot, nëse përsërisim të njëjtat fraza në çdo mbledhje. Sa i takon vendimit për bojkotin e Parlamentit, mendoj se përpara se ta marrim një vendim të tillë, që është shumë i fortë për hir të së vërtetës, ne duhet të dimë a kemi garanci që njerëzit na mbështesin.

Kryetar, këtë gjë askush nuk mund të na e thotë më mirë sesa ti, sepse ti ke bërë turin me njerëzit nëpër qytete në të gjithë vendin. Nëse ne kalojmë në protesta, i kemi ne degët në gjendje që të na ndjekin me këto protesta, në mënyrë që ato të jenë masive? Sepse ne nuk mund t’i hyjmë një gjëje që nesër të na kthehet në bumerang, apo të kthehet në një problem për vetë opozitën. Ky nuk është një test që mund ta bësh dy muaj përpara zgjedhjeve. Nëse vendosim që do të organizojmë një sërë protestash dhe njerëzit nuk do të na mbështesin dhe nuk do të dalin, atëherë drejtpërdrejt ke vrarë zgjedhjet, sepse i bie që ne nuk kemi mbështetje. Personalisht jam kundër bojkotit të Parlamentit. Sepse unë pyes: çfarë ndodh nëse komisioneri Johanes Hahn do t’ju telefononte apo do të bënte një deklaratë publike ku do të kërkonte rikthimin e opozitës në Parlament? Çfarë qëndrimi do të mbanim ne? Do t’i rezistonim dot presionit ndërkombëtar? Nuk mendoj se duhet të hyjmë në aksione, që do ta dëmtonin opozitën pak muaj përpara zgjedhjeve.

Jozefina Topalli: Absolutisht edhe unë jam kundër daljes nga Parlamenti. Ku do të shkojë opozita po doli 3 muaj përpara zgjedhjeve nga Parlamenti? Kujt t’i flasim ne? Nga do t’u flasim? Si do të arrijmë t’i bindim njerëzit se ajo që ne po kërkojmë është legjitime, jo vetëm për ne si PD, por për demokracinë? Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një largim nga Parlamenti. Por edhe për atë që ne si opozitë duhet të bëjmë. A motivohen njerëzit për të dalë në protesta? Unë e kam thënë edhe më herët që opozita dhe Partia Demokratike ka hyrë në zgjedhje dhe nuk i ka bojkotuar ato, edhe kur gjysma e Shqipërisë nuk dilte në zgjedhje. Partia Demokratike, ne deputetët, dhe strukturat duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kaq tragjik në të cilin Rama ndodhet dhe t’i frymëzojmë njerëzit për t’i dhënë shpresë. Opozita nuk mund ta braktisë Parlamentin, përkundrazi, atje duhet ta fitojë betejën e saj për zgjedhjet.

Sali Berisha: Ky është momenti më kritik i 4 viteve. Ne ose jemi opozitë dhe kemi aftësinë t’u dalim për zot fateve të vendit në një moment kaq kritik, ose ne nuk jemi më forcë politike. Opozita betejën e saj e ka në Parlament. Por kjo nuk i frenon format e tjera të presionit, që opozita mund të ndjekë dhe duhet të ndjekë. Ne, pa dyshim duhet të jemi frymëzues që shqiptarët të dalin dhe të na mbështesin në shesh. Por fillimisht ne duhet të jemi të bindur se strukturat tona janë gati dhe e mbështesin aksionin tonë opozitar. Sepse, edhe nëse ata 5 mijë apo 10 anëtarë të strukturave të PD-së të vijnë dhe të dalin e të na mbështesin në protesta, ata janë një mënyrë e mirë për të bërë presion ndaj maxhorancës. Ne treguam se si mund të fitohet një betejë parlamentare, duke bërë rezistencë dhe duke i qëndruar asaj, siç është çështja e dekriminalizimit. Ndaj edhe unë mendoj se vetëm duke i qëndruar kësaj rruge dhe jo bojkotit do të arrijmë të fitojmë edhe zgjedhjet e ardhshme.

Lulzim Basha: Fryma që mbizotëron është ajo për një intensifikim të aksionit opozitar që, sigurisht, do të vijojë në të gjithë hapësirën tonë parlamentare. Ne do të shohim se si do të reagojë maxhoranca përballë kërkesave tona dhe më pas do të vendosim se cili do të jetë hapi i radhës që do të ndjekim./Panorama