Ka një kohë të gjatë që qarkullon në internet një informacion që gruaja e kryeministrit Albin Kurti jeton dhe punon në Beograd.
Disa media në gjuhën serbe kanë shkruar se Rita, bashkëshortja e Kurtit, përfaqëson një kompani norvegjeze, Rystad Energy, e cila në vitin 2022 ka nënshkruar një kontratë me qeverinë e Serbisë për riorganizimin e rrjetit energjetik të Serbisë.
Këto artikuj në disa media serbe i kemi parë shumë kohë më parë, por kurrë nuk i kemi përdorur për ta sulmuar Kurtin. Nëse do ta kisha ditur se kjo ishte e vërtetë, do ta kishim publikuar menjëherë, sepse do të ishte një skandal i madh. Megjithatë, pasi nuk mundëm ta verifikonim informacionin, e kemi lënë të heshtur.
Sigurisht, mediat në Kosovë janë më të mira dhe më profesionale se qeveria Kurti, sepse sikur të kishte pasur Arlind Manxhuka, shefi i propagandës në qeveri, këto artikuj do të kishin shpërthyer nga ne, për ta sulmuar çdo gazetar që shkruan diçka kundër qeverisë.
Ata që janë në pushtet e kanë shpërndarë një artikull nga një portal boshnjak, Slobodna Bosnja, që është kundër portaleve Nacionale dhe Periskopi. Më pas, ata e kanë shpërndarë këtë artikull në RTK dhe kanë bërë një “share” të madh nga aktivistët e Vetëvendosjes, duke thënë se Serbia i ka blerë këto dy portale.
Dje, pas publikimit të përgjimit nga Vehbi Kajtazi, u kuptua se kjo është një thashethem dhe se ajo ka burime të pasakta. Burimi i këtij artikulli ka qenë drejtori i RTK-së, që është një person i lidhur me Dejan Mihailin dhe me AKI-në, të cilat janë nën kontrollin e pushtetit.
Kthehemi tani te gruaja e Kurtit.
Dje, në Kanal 10, Branislav Krstiç, një analist serb i Kosovës, tha se dihet se Rita e Albinit punon në Serbi. Pak më herët, Branislavi ka shpërndarë në Facebook edhe burimin e këtij informacioni. Burimi, sipas Krstiç, është një deputet opozitar serb, i cili kishte bërë një pyetje për këtë temë në parlament.
Deputetja Tamara Milenković-Kerković kishte bërë këtë pyetje në qershor të vitit të kaluar.
Ne që shkruajmë dhe kritikojmë çdo ditë qeverinë Kurti, e kemi ditur edhe këtë pyetje që ishte bërë në Serbi.
Sidoqoftë, nuk jemi bërë si Xhelal Sveçla, i cili pa asnjë fakt shpif dhe gënjen kundër gazetarëve.
Unë vendosa të merrem me këtë temë, pasi pashë që përfaqësuesi i Qeverisë reagoi kundër lajmit të Branislavit, një lajm i cili është publikuar edhe nëpër portale. Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka tentuar të demantojë një informacion të mundshëm të pavërtetë, me një informacion tjetër që është padyshim i pavërtetë.
Më irritoi gënjeshtra e Kryeziut, i cili, duke folur për bashkëshorten e kryeministrit, Rita, tha se ajo punon në Oslo dhe jeton mes Oslo-s dhe Prishtinës.
Epo, Rita jeton mes Oslo-s dhe Prishtinës, sa po jetoj unë mes Prishtinës dhe Londrës, ose mes Prishtinës dhe Shtutgartit.
Pra, Rita, bashkëshortja e Kurtit, gjatë katër viteve të mandatit të tij, ka jetuar në Oslo, dhe ka ardhur në Prishtinë shumë më rrallë sesa kam udhëtuar unë për në Tiranë. Ndoshta ajo ka ardhur në Prishtinë sa kam shkuar unë në Londër.
Rita dhe vajza e saj, që është edhe vajza e Albinit, jetojnë, punojnë dhe shkollohen në Oslo. Ajo nuk ka dashur që fëmijën e saj ta rrisë me fëmijët tuaj.
Ajo nuk ka dashur që vajza e saj të përjetojë bullizmin që përjetojnë fëmijët tanë. Ajo nuk ka dashur që ajo dhe vajza e saj të thithin të njëjtin ajër që thithin familjet tona.
Asnjë rast në Evropë nuk ekziston ku kryeministri i një shteti vendos të bëjë eksperimente me një shtet, kurse familjen e vet e lë të jetojë dhe të shkollohet në shtetin më të zhvilluar në kontinent, dhe ndoshta në planet.
Pra, qeveria gënjen edhe kur përpiqet të demantojë gënjeshtra. Ata tentojnë të luftojnë një gënjeshtër me një tjetër.
Me fjalë të tjera, nuk e dimë me siguri nëse gruaja e Albin Kurtit është e përfshirë në marrëveshjen sekrete të kompanisë norvegjeze me qeverinë e Serbisë, por e dimë me siguri se gruaja e Albinit dhe vajza e tij nuk kanë jetuar në Kosovë, ose siç thotë qeveria, mes Oslo-s dhe Prishtinës.
Albin Kurti, në vitin 2019, gjatë fushatës zgjedhore, kur u pyet në një intervistë, kishte thënë se vajza e tij do të shkollonte në Prishtinë, nëse bëhej kryeministër.
Por duke e ditur se çfarë kryeministri i paaftë është, ai nuk ka dashur t’ia shkatërrojë të ardhmen fëmijës së tij.