Banesat karakteristike me tipet dhe format që përfaqësojnë zënë vendin kryesor, në kompozimin urbanistik dhe arkitekturor të lagjeve muzeale të Beratit. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ka publikuar një material, ku shkruhet se vendosja e tyre në truall për vetë terrenin e aksidentuar nuk ndjek ndonjë kriter të përcaktuar.
Sipas materialit të DRTK, kjo përcaktohet në një masë të madhe nga kushtëzimi i daljes në rrugica por edhe i përkatësisë sociale të pronarëve që i zotëronin. Ndryshe nga qendrat e tjera vijon materiali, në Berat pjesa më e madhe e banesave kanë pak oborr, ose në disa raste mungon fare duke dalë direkt në rrugë.
“Tipologjia më e njohur e banesës beratase është ajo me çardak, një element që gjendet kryesisht në banesat me vëllime të mëdha në zotërim të shtresave të pasura të qytetit. Çardaku ndërtohet kryesisht në fasadën kryesore të banesës dhe në fazën e tij origjinale ishte i hapur. Ai shërben njëkohësisht edhe si ambient ndërlidhës për hapësirat e tjera të banesës. Ky ambient shfrytëzohej së tepërmi nga banorët gjatë stinës së ngrohtë duke shfrytëzuar në maksimum dritën natyrale. Për vetë kompozimin dhe përdorimin e gjerë të tij, banesa me çardak ndahet në disa nën tipe; banesa “me çardak në gjithë ballin”, “me çardak në një krah” dhe “me çardak në qendër””, thuhet në material. Mendohet se banesa më çardak si fazë ndërtimi duhet t’i përkasë shek. XVIII – fillimit të shek. XIX. Gjatë gjysmës së dytë të shek.
XIX shikojmë një përpjekje për modifikimin e tij, duke e mbyllur në shumë raste me muraturë çatmaje për ta shfrytëzuar si dhoma banimi. Përveç tipit të banesës me çardak, në Berat gjenden e dhe tipe të tjera si banesa me gjysëm kat dhe ajo me kat. Materiali vijon se në pak raste ruhet ende edhe banesa perpendikulare me konstruksion guri në gjithë gjatësinë e saj. “Në vështrimin planimetrik të banesave mund të dallojmë këto ambiente kryesore sipas rastit: dhoma e zjarrit kryesisht me oxhak, oda e miqve me element dekoratik si tavanet, musëndrat dhe mafili, çardaku, katoi, sterna dhe mjediset sanitare. Përveç tyre në banesat beratase dallohen për përpunimin dhe rëndësinë që i kushtohet edhe shumë elementë të veçantë si; qoshku, kamerija, testekët, qemerët, dritaret e dekoruara, portat, tymaret, etj.
Një element që spikat shumë në Berat është përdorimi i gjerë i erkerit që del në rrugë, që kushtëzohet në pjesën më të madhe nga ngushtësia e terrenit ku vendosen banesat”, thuhet më tej për banesat.