[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bekë Balaj i shkruan letër të hapur Akademik Hivzi Islamit



Drejtuar Komisionit të Ri për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, gjegjësisht, Kryetarit të Komisionit njëherësh edhe Kryetar i ASHAK-ut Akademik prof. Dr. Hivzi Islamit, Kryetarit të Komunës së Pejës zotit Gazmend Muhaxherit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

I nderuari Kryetar i ASHAK-ut prof. dr. Hivzi Islami. Siç jemi informuar nga mediat Qeveria e Kosovës iu ka ngarkua me një detyrë jo të lehtë , por shumë delikate dhe me përgjegjësi qoftë shkencore , akademike dhe njerëzore për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Detyrën e keni pranua dhe keni deklarua se do të punoni me përkushtim dhe paanshmëri, për çka mbetet për t’u parë sepse me datën 3 Gusht 2015 nuk keni qenë i paanshëm.

Jam i vetëdijshëm se nuk jam i nivelit të juaj qoftë shkencor , qoftë akademik por pak a shumë kam njohuri për me dallua të bardhën nga e zeza, të vërtetën nga e pavërteta dhe të saktën nga e pasakta, në këtë rast  vijëzimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi-vijëzim ky në dëm të Kosovës.

I shtyrë nga bindja ime personale por edhe nga numër i madh I banorëve të Komunës së Deçanit dhe Pejës që më pa të drejtë po u tjetërsohen mijëra hektarë bjeshkë, qoftë të Zhlebit, Ishtedimit dhe të Rugovës të cilat bjeshkë me qindra vjet i kemi shfrytëzuar dhe janë administruar nga Peja , po ju drejtohem me këtë shkrim modest. Dyshoj që ky shkrim do të ketë ndikim në bindjet dhe qëndrimet tuaja , por për hir të opinionit të painformuar , ose të informuar gabimisht të parashtroi disa pyetje , disa argumente dhe disa sugjerime të cilat për komisionin e mëparshëm për demarkacion nuk kanë pas fare ndikim; jo që nuk kanë ditë por kanë qenë të shantazhuar dhe të detyruar me nënshkrua (ma mirë më thonë verbërisht kanë vu gisht si dikur udhëheqësit analfabetë) një version të gabueshëm dhe shumë të dëmshëm jo vetëm për banorët në fjalë por për tërë Kosovën.

Pyetje: Zoti Kryetar i Komisionit , si mund të bëhet matja e territorit të një vendi pa dalë në terren dhe pa i pasur pikat kryesore referente të cilat në këtë rast ato kanë lëvizur nga Kulla e Zhlebit dhe çakorri me kilometra në brendi të Kosovës? Si mund të bëhet llogaritja e sipërfaqes së Kosovës duke mbledh sipërfaqet kadastrale të komunave  duke anashkalua pronat shtetërore (shoqërore)që nuk figurojnë në kadastrat komunale e që janë administruar nga Ndërmarrjet e ndryshme shtetërore (shoqërore).Në rastin tone meqenëse kemi të bëjmë me territorin e Komunës së Pejës ish Ndërmarrja Pyjore “Sharr” e Pejës ka administruar këto prona për më se 70 vite dhe në ambientet e saj gjendet mjaft materialë administrative që dëshmojnë se kjo ndërmarrje ka administrue, ka menaxhue, por edhe ka kultivue (ka mbjellë mbi 80-90 mijë fidanë bredhi) në Bjeshkën e Zhlebit e që tani po punohet me zell të madh nga qeveria jonë të kalojnë në pronësi të Malit të Zi .

  1. Kryetar i ASHAK-ut, siç jemi të informuar po ashtu nga mediat nuk do të përdorni asnjë dokument qoftë administrativ, kadastralë, gjyqësor qofshin të Kosovës të Malit të Zi të ish-Jugosllavisë, të KFOR-it, madje as hartën e Kosovës në librin “Kosova-Vështrim Monografik” të botuar nga ASHAK-u në vitin 2011 bashkë autorë I të cilës jeni edhe ju , madje në lëmin e gjeografisë. Nuk dua të paragjykojë por thonë se dita e mirë shihet në mëngjes .Të gjitha këto dokumente që përmenda është dashtë t’i siguroj Komisioni Shtetërorë për Demarkacion sepse ka qenë i angazhuar dhe i detyruar dhe i paguar majmë nga taksapaguesit Kosovar. Por, jo që nuk i kanë siguruar por edhe ato që ua kemi afrua nuk i kanë pranuar e të cilat me vështirësi dhe shpenzime vetanake duke falënderuar njerëzit vullnetmirë janë sigurua në Kosovë dhe jashtë saj .Shkaku që nuk i kanë pranue duhet të jetë arsye që ua çjerrin maskën të gjithë atyre që janë të involvuar në këtë lojë të ndyrë .

Tani të njëjtit (Komisioni në fjalë)krenohet se kemi bërë punë të mundimshme , shkencore dhe patriotike dhe kërkojnë që me çdo kusht t’u besojmë atyre .Edhe ish Kryeministri i Kosovës (tani President),edhe kryeministri i tanishëm edhe ish Ambasadori i Malit të Zi Radovan Miljaniq dhe shumë personalitete gjithnjë kanë garantue se Kosova nuk humb as edhe 1cm2,as 1m2,as një pëllëmbë territor por do të vijëzohen kufijtë e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAçKJ) d.m.th. kufijtë e viteve 50’, 70’ ,90’ e deri pas luftës por tani po del se vetëm nga kulla e Zhlebit për të cilën kam njohuri që nga fëmijëria është ç’vendos për më shumë se 5 kilometra në brendi të Kosovës .Pra , edhe komisioni edhe udhëheqësit në fjalë po kërkojnë me çdo kusht t’u besojmë fjalëve të tyre e jo argumenteve të bollshme dhe gjendjes në terren. Kjo po i përngjan përrallës së Nastradinit kur fqiu ia kërkon gomarin për një punë por Nastradini nuk dëshiron t’ia japë dhe i përgjigjet se nuk e kamë këtu . Ndërkohë Gomari pallë në ahur dhe Nastradini i drejtohet fqiut : “ A më shumë po i beson zërit të gomarit apo fjalëve të mia si hoxhë që jam?”. Edhe strukturat në fjalë po kërkojnë që më shumë tu besonë fjalëve të tyre  sesa fakteve .

Zoti kryetar I ASHAK-ut edhe pse nuk ju njoh personalisht gjithnjë kam dëgjua fjalë të mira prej ish studenteve tuaj për punën arsimore dhe shkencore si edhe si njohës i mirë i shkencës së gjeografisë, e shpresoj që nuk u shpëton pa i njohtë edhe kufijtë e një grushti Kosovë sepse pararendësi i juaj në komisionin e Murat Mehës nuk i kishte njohtë ose është detyrue për mos me i njoftë . Një plak analfabet , por i mençur  disa vite më parë na këshillonte : “Bir’o çdo punë të mirë që e bëni është si me mbush një çyp me mjaltë por vetëm nëse një punë e ligë që bën është njësoj si me ja hudh një lugë flliqti atij mjalti”. Dhe pyeste: “A e hanë ndokush atë mjaltë”. Po ashtu na këshillonte që “Ma mire është të koritesh më hyqymetin sesa me miletin” sepse pushtetet shkojnë e vinë kurse populli mbetet. Kësisoj ka ndodh edhe në vitet pas 81’ dhe pas 90’ e që ju e dini më mire…

Zoti Kryetar I Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri edhe për ju kam disa pyetje dhe disa sqarime përveç atyre që i kamë cekur më lartë. Kur keni qenë në opozitë keni kundërshtuar madje edhe keni demonstruar kundër këtij versioni të gabuar për demarkacionin e kufirit në fjalë , ndërsa tani si Kryetar i Komunës së Pejës të njëjtin po e përkrahni madje me zell të madh . ç’farë ndryshimi (metamorfoze) ngjau në personalitetin e juaj ?. Athua ndikoi karriga apo Kryetari i Partisë ?

Pyetje: Ndërmarrja Pyjore dikur “Sharr” e Pejës a ka qenë pronë e Komunës së Pejës dhe Kosovës apo e Rozhajës dhe Plavës të Malit të Zi dhe ku e ka pas selinë dhe ku e ka tani?.A keni qenë ndonjëherë për ta vizituar dhe për të pa dokumentacionin administrativ dhe gjyqësor dhe deri ku e ka administrue kjo ndërmarrje deri në vitin 2008 ? Kush e ka mirëmbajt dhe asfaltue edhe pas luftës së vitit 1999 rrugën Pejë-Kullë ? Cfarë dokumentacioni kadastral ka Komuna e Pejës për një territor  të Malit të Zi përtej Bjeshkëve të Thata , për disa qindra hektarë e që tani i kanë kalue Pejës ? Bjeshkë të varfra me pyje dhe kullota pa rrugë dhe pa ujë ndërsa si kompenzim Mali I Zi merr mbi 5 kilometra nga Kulla e deri te Shkalla e Zhlebit diku rreth 2500-3000 hektarë – Bjeshkë të pasura me pyje dhe kullota me ujë të mjaftueshëm dhe rrugë të asfaltuar duke përfshirë edhe majën e Rusolisë dhe Podin e Hamshorit vetëm disa qindra metra afër Jabllanicës së Madhe dhe Radavcit për të cilat Mali i Zi nuk ka kurrfarë dokumentacioni as hartografik , katastral e as administrativ por  ka vendosë  kufijtë aty ku ka dëshirue . Shpeshherë gjatë takimit më banorë të Rrethinës së Rozhajës në mënyrë tallje thonë se “Mali I Zi ka gabue se nuk e kishte kërkuar deri në Peje”!

Sa i përket Rugovës dhe çakorrit nuk kamë njohuri të mjaftueshme por dëshmojnë dokumentet (Tefteret) dhe banorët e asaj ane prandaj po ju kursej edhe pse në debatin e të hënës në TV keni mbrojtë me fanatizëm versionin me fjalë dhe në mënyre ironike kërkojshit kufirin deri në Arzhanicë .

Për të gjitha këto që i përmenda dhe plotë të tjera që nuk janë përfshi në këtë shkrim kanë njohuri të gjithë deputetët e Dukagjinit , disa ministra, zv. ministra, zv. kryeministrat por ka edhe akademik por nuk flasin sepse ju mungon guximi , frikësohen se humbin karriket dhe privilegjet madje edhe vendet e punës. Një thënie e At Zef Pëllumbit : “Mungesa e zellit dhe zelli i tepruar njesoj janë të dëmshme”, pra e dëmshme është edhe heshtja e disave që e dijnë dhe nuk flasin por edhe e disave se me çdo kusht përpiqen me kalue ketë version duke lidhë me liberalizimin e vizave, d.m.th. me falë territor për liberalizim të vizave gjë që nuk mund te ndodhë as ndodh kund në botë.

Në fund, nëse miratohet versioni i tanishëm ta dini ju që jini përgjegjës për këtë punë me të cilën nuk po e dëmtoni Kosovën vetëm më humbjen e disa kilometrave katrore territor por po krijoni një presedanë të dëmshëm dhe të rrezikshëm për vendin dhe po u leni ngatërresa brezave të tashëm dhe të ardhshëm . Pra thënë shkurt e shqip kësaj i thonë:TRADHËTI! Ndaj, një këshillë që nuk është vetëm e imja :

”Të ikim nga rruga e turpit  dhe të ndjekim rrugën e nderit”.

02.02.2017                                                 Me nderime Bekë Balaj

Strellci i Ulët-Deçan                           Veteran I arsimit dhe përfaqësues I fshatit Strellc