[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bëhet hapja e qendrës së autizmit në Zaskok të Ferizajit



Në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zaskok,  tash e tutje do të funksionojë edhe qendra për personat me autizëm.

Inaugurimin e kësaj qendre e bëri kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa,  së bashku edhe me donatoren kryesore për hapjen e kësaj qendre dr. Shpresa Xhaklin e cila është nënë e një fëmiju me autizëm në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari Svarqa, hapjen e kësaj qendre e ka vlerësuar tejet lart, duke thënë se një qendër e tillë i ka munguar qytetit të Ferizajt.

“Unë jam shumë i sigurte  se ky është një fillim i mirë dhe në të ardhmen do të ketë mundësinë edhe të zgjerimit,  jo vetëm nëpër hapësira fizike, por edhe në zgjerimit me kapaciteteve njerëzore me njerëz profesional që do të ndihmojnë dhe do të ndikojnë në trajtimin  e të gjithë atyre që kanë nevojë për tu trajtuar, dhe  që janë prekur nga ky sindorm i cili për shëndetësinë tonë, është  mjaft i komplikuar dhe i cili sipas shënimeve që kemi ka tendenca të rritjes”, ka thënë kryetari Svarqa, duke theksuar se se në të ardhmen do të shikohen edhe mundësitë buxhetore që të trajtohen në mënyrë institucionale  këta njerëz për të cilët shoqëria ka obligim që t’i trajtojë si qytetarë të barbarët të shoqërisë.

Nga ana tjetër dr. Shpresa Xhakli, e cila ka bërë edhe dhurimin e mjeteve që duhet të punohet me fëmijët me autizmit, ka thënë se këtë gjë e ka bërë si një nënë që ka fëmijën e saj të sëmurë me autizëm. Ajo tha se në këtë mënyrë ka shprehur vullnetin e saj që t’ju del në ndihmë të gjithë prindërve që kanë fëmijë të sëmurë me autizëm.

“Apeli për prindërit është, se nëse nuk bashkohen të gjithë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët e tyre, askush nuk mundet ti ndihmojë,  por duhet vet të bëjmë çmos që t’ju dalin në ndihmë sepse edhe fëmijët e juaj duhet të shkojnë në shkollë dhe të merren me aktivitete të ndryshme”, ka thënë Xhakli.

Ndërkaq Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës më fëmijët me autizëm, ka falënderuar komunën e Ferizajt dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në hapjen e kësaj qendre. Ai tha se kjo sëmundje çdo ditë ka tendenca të rritjes në Kosovës.

“Ne duhet të luftojmë që këta fëmijë të integrohen në përditshmërinë,  duhet me pas programe shkollore me shku nëpër shkolla të rregullta, nëpër restorante dhe mos me hezitu për asgjë,  sepse krim është nëse e fsheh fëmijën me autizëm. Në bazë të një prognoze që është bërë në vitin 2032 nëse vazhdon ky trend pa trajtim të duhur,  ka me qenë çdo i dyti fëmijë me autizëm dhe duhet me ditë që kapacitete e këtyre fëmijëve janë shumë të mëdha nëse punohet mirëfilltë me ta”, ka thanë Krasniqi.

Me fëmijët me autizëm në këtë qendër do të punojë edhe psikologja Doruntina Asllani. Ajo tha se me personat me autizëm punon që nga vitit 2009  dhe sipas saj hapja e kësaj qendre ka qenë tejet e domosdoshme në komunën e Ferizajt.

“Krijimi i infrastrukturës na ndihmon shumë,  sepse personat me autizëm janë raste shumë sfiduese dhe dojnë kushte dhe ambiente shumë të përshtatshme për trajtimin dhe avancimin e tyre”, është shprehur Asllani.

Qendra e autizmit do të punojë çdo ditë pune nga ora 8:00 deri në orën 16:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zaskok.

16176234_1869734093042603_1973468407_n