Botapress 5 Qershor – Mbretëria e Bashkuar e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes. Megjithatë, duket se këtë fakt e ka harruar ose aksidentalisht e ka neglizhuar transmetuesi publik i këtij vendi, BBC.
Në një storie ku shfaqet harta e Evropës dhe ku tregohet rrjedha e Lumit Danub nëpër disa shtete të saj, vërehet se Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.
Sidoqoftë, duket se ky lëshim nuk ka qenë i qëllimshëm. Në hartat tjera që janë publikuar në uebfaqen e transmetuesit publik britanik, Kosova figuron me kufijtë e vet shtetërorë.
Kosova figuron edhe në listën e shteteve ku janë publikuar statistikat e rasteve me Covid-19, që BBC-ja e ka përditësuar vetëm një ditë më parë.
Ndryshe, në një hartë të publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, kufiri i Kosovës me Serbinë është i shënuar me një vijë më të hollë dhe emri i Kosovës është i shkruar me fusnotë.