Bayern Munich ka konfirmuar se e ka emëruar Julian Nagelsmannin në postin e trajnerit të ekipit të parë, në një marrëveshje pesëvjeçare.
Julian Nagelsmann do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare si trajner i Bayern Munich, pasi RB Leipzig u pajtua ta lirojë atë na detyra e trajnerit të ekipit të parë për 25 milionë euro plus bonuse, raporton Gazeta Botapress.
“FC Bayern ka nënshkruar me Julian Nagelsmann, 33 vjeç, si trajner i ri. I lindur në Bavari, ai do t’i bashkohet Munichut nga RB Leipzig në fillim të sezonit të ardhshëm, 1 korrik, 2021. Marrëveshja e tij me kampionët rekord të Gjermanisë do të zgjasë pesë vjet, deri më 30 qershor 2026”, thuhet në njoftimin e Bayernit.
Kjo marrëveshje e bën Nagelsmannin transferin më të shtrenjtë në historinë e trajnerëve në Bundesligë.
33-vjeçari do ta marrë drejtimin e skuadrës së Bayernit më 1 korrik 2021.
Ai do ta pasojë trajnerin Hansi Flick, i cili muajin e kaluar njoftoi se do të largohej nga Bayerni në përfundim të këtij sezoni.
Megjithëse vetëm 33 vjeç, Nagelsmanni i ka pesë vjet si trajner në Bundesligë, pasi fillimisht e udhëhoqi Hoffenheimin.
Në moshën 28-vjeçare, ai ishte trajneri më i ri në historinë e Bundesligës dhe udhëhoqi skuadrën nga një vend në zonën e rënies nga liga, në një vend në zonën e Ligës së Kampionëve.
Pas tri vjetëve, ai e mori drejtimin e Leipzig dhe u dërgoi atë në gjysmëfinale të Ligë së Kampionëve në sezonin 2019/20, ku u mposht nga Paris Saint-Germain. /Gazeta Botapress/