Sonte në Pressing në T7 po diskutohet tema e një viti pas sulmit terrorist në Banjska të Zveçanit. Për këtë temë foli edhe gazetari Baton Haxhiu, i cili pati kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, lidhur me veprimet e tij një vit pas sulmit.
Sipas tij, brenda një viti Kurti është marrë me gjëra të vogla duke e çuar në limit durimin e Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Kurti edhe njëherë ka dëshmuar që Veriu nuk është çështje e policisë por është çështje e një zgjidhje politike ose përmes dialogut. Këtë një vit, Kurti është marrë me gjëra të vogla dhe ka çuar në limit durimin e Bashkësisë Ndërkombëtare saqë janë detyruar që edhe pas Banjskës të vënë sanksione”, u shpreh Haxhiu në Pressing, transmeton Express.
“Si është e mundur që kryeministri ynë të del humbës pas një akti të tillë terrorist”, pyeti Haxhiu.
“Mendoj që Kurti e ka keqkuptuar edhe rolin e Bashkësisë Ndërkombëtare karshi Vuçiqit duke menduar se Vuqiçi është një Millosheviq i ri në botën politike serbe, ai i ka dhënë një dimension Vuçiqit që Bashkësia Ndërkombëtare nuk ia pranoi. Fakti se Bashkësia Ndërkombëtare e trajton më shumë si Tito Vuçiqin sesa si Millosheviqin, tregon se Kurti nuk e ka kuptuar rolin e Vuçiqit, Serbisë e Bashkësisë Ndërkombëtare karshi Serbisë, prandaj janë gjithë këto gabime për një vit”, tha më tej Haxhiu.