Bashkëshorti projektin, gruaja e tij tenderin: Ministria e Liburn Aliut anulon tenderin 1 milionësh

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është përcaktuar që të bëjë ndërtimin e një nënkalimi në Autostradën e Gjilanit që njihet si Autoudha A7, konkretisht  në mes të rrugës Sllovi -Vrellë e Goleshit. Meqenëse kjo ministri pas fusionimit, operon brenda saj me atë të Infrastrukturës dhe Planifikimit Mjedisor, në këtë projekt është involvuar pjesa e Liburn Aliut.

Ofertat për këtë tender janë hapur para një muaji, dhe ministria në fjalë dje ka bërë anulimin e procedurës tenderuese, me arsyetimin që “gjatë kontrollimit të paramasave komisioni i vlerësimit ka hasur në një mospërputhje mes paramasës së projektit dhe paramasës së iniciuar nga njësia e kërkesës, e vendosur në dosjen e tenderit”.

LEXO EDHE KETE

‘Beteja e Kurtit me gjykata’: Në këtë gjykatë sot u anuluan 22 seanca gjyqësore

Megjithëkëtë, ky ka qenë vetëm një justifikim i ministrisë për anulimin e tenderit.

Nga MMPHI kanë thënë për Periskopin se “projekti është hartuar nga Kompania “GEO MAP” e kontraktuar nga ish- Ministria e Infrastrukturës”.

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, pronar i kësaj kompanie është, Florent Emini.

Para një muaji, ministria ka hapur ofertat për këtë tender dhe siç ka mësuar Periskopi, komisioni i vlerësimit i formuar prej tre anëtarëve ka qenë i përcaktuar që të shpallë fitues kompaninë më të lirë “Pro & Co Group”, pronare e së cilës është gruaja e Florentit, Armenda Beqiraj.

Mësohet se në momentet e fundit ka ndërhyrë udhëheqësi i prokurimit të MMPHI, Ndriçim Mustafa. I frikësuar se në këtë rast mund të këtë konflikt të interesit dhe kjo mund të zbulohet në opinion, i ka kërkuar komisionit që të gjejë një arsyetim për anulimin e tenderit. Nëse ky vendim ka qenë i arsyeshëm mbetet të shihet nga ankesat që do të paraqesin kompanitë dhe përgjigja që do të marrin më pas nga ministria, dhe nëse janë te pakënaqura do të drejtohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Procesi i tenderit

Në garë për këtë tender kanë qenë 1, “Gag Asphalt Company” në konzorcium me kompaninë nga Shqipëria “Gjoka Konstruksion”, të cilët kanë vendosur një çmim 805, 084, 74 euro. 2, KNPSH. “Papenburg& Ardiani Company”. Kjo kompani ka vendosur një çmim prej 837, 850, 81 euro. 3, “Pro & Co Group” Shpk, me vlerë të ofertës 732, 716, 55 euro. Kriter kryesor ka qenë oferta më e lirë e përgjegjshme.

Meqenëse bashkëshorti i Beqirit e ka bërë projektin për tenderin, nëse do të dilte fitues “Geo& Co Group”, për të cilën edhe ishte përcaktuar komisioni vlerësimit, atëherë do të kishte konflikt të pastër të interesit.

Vendimi do të biente ndesh me legjislacionin sekondar të prokurimit, konkretisht “Kodi etik i prokurimit”. Ky kod në nenin 5 e ka kapitullin “Konflikti i interesit”. Këtu paragrafi 5.4  tregon se janë tri pika të caktuara të një procedure të prokurimit publik, ku mund të lind konflikti i interesit:

  • brenda autoritetit kontraktual
  • ndërmjet autoritetit kontraktues dhe tenderuesit
  • mes atij që ka përgatitur specifikimet teknike / dokumentet e tjera mbështetëse dhe tenderuesit.

Në anën tjetër, ministria ka pasur edhe dy oferta tjera, atë të grupit “Gag Asphalt Company” në konzorcium me kompaninë nga Shqipëria “Gjoka Konstruksion”. Kujtojmë se tre zyrtarë të ministrisë që po gjykohen nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë nën akuzën se kishin nxjerr kundërligjshëm kompaninë “Gjoka Konstruksionë” në një lot të kontratës për tenderin e Autostradës së Gjilanit në vitin 2018.

Po ashtu, ministria ka pasur edhe ofertën e kompanisë Papenburg& Ardiani Company”. Edhe kjo kompani është treguar e papërgjegjshme me ndërtimet që po bëhen në rrugën Prizren-Prevallë. E kohëve të fundit, Prokuroria ka trokitur në derën e ministrisë lidhur me projektin e kësaj rruge, raporton Periskopi.

Ndryshe, në lokacionin e paraparë, tek Autostrada e Gjilanit përkatësisht në rrugën Sllovi – Vrellë e Goleshit është projektuar nënkalimi i automjeteve duke u bazuar në matjet gjeodezike dhe vrojtimet në terren nga projektuesit, ku në bazë të këtyre është përvetësuar forma, gjatësia dhe lloji i sistemit strukturor. Gjatësia e nënkalimit të automjeteve është L=27.0m’, kurse gjerësia B=9.00m’./Botapress.info/

ngjashme