[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ballkani ndodhet para rrezikut të ndryshimit të kufijve



Situata e sigurisë në Ballkan nuk ka qenë kurrë më e brishtë, e posaçërisht Kosova e cila është duke iu ekspozuar një ekspansioni nga Serbia e mbështetur nga shteti rus.

Në këtë situatë Kosova duhet patjetër ti “shtrëngoj” masat e veta të sigurisë, dhe të gjëjë forma të tjera për forcimin e FSK-së pasi Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës aktualisht është bërë i pamundur për shkak të nevojës për ndryshimin e Kushtetutës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se provokimet e fundit të Beogradit kanë tensionuar dukshëm marrëdhëniet dhe sidomos kanë kompromentuar përpjekjet për normalizim. Padyshim që kjo ndikon pastaj edhe në situatën e sigurisë.

“Pra, siguria është provokuar seriozisht dhe njëanshëm. Pavarësisht kësaj mendoj që rruga para nesh është më e rëndësishme për të dy palët dhe nuk do lejohet që perspektiva evropiane e popujve të rrezikohet nga interesa pushtetare dhe të momentit. Tashmë kemi edhe partner serioz në terren të cilët janë të preferuarit e gjithë regjinat dhe besoj të jenë të involvuar edhe më shumë për ta siguruar një rrugë më të qetë”, ka thënë Pajaziti.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi  tha se situata e sigurisë në Kosovë në përgjithësi mbetet e tensionuar si pasojë e kërcënimeve dhe si pasojë e veprimeve të Serbisë në Kosovë.

“Përderisa Ballkani e ka Serbinë do të vazhdojë të jetë një situatë e tillë, përderisa e ka  Serbinë e Millosheviqit. Kriza dhe tensionet nuk janë të lokalizuara vetëm në Kosovë. Me Serbinë ka problem edhe Kroacia, edhe Bosna edhe NATO – shkaktar po del gjithmonë Serbia”, ka thënë për Indeksonline, deputeti Selimi.

Ndërkaq Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka kritikuar se në gjithë këtë ofanzivë të Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës, Qeveria prapë është duke zhvilluar bisedime në formën e nënshtrimit.

Ai për Indeksonline ka thënë se situata e sigurisë është mjaftë e brishtë duke marrë parasysh zhvillimet e fundit që kanë ndodhur si pasojë e provokimeve nga Beogradi duke cenuar integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe njëkohësisht duke e konsideruar Kosovën si çështje të brendshme të saj.