Gjatë debatit në Kuvendin e Serbisë, ku u diskutua propozimi franko-gjerman, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, Usama Zukorliq, ka thënë se disa nga përfaqësuesit politikë të boshnjakëve në Kosovë i kanë thënë se synojnë të ndërmarrin një iniciativë për Asociacionin e komunave boshnjake, në mënyrë që të dëgjohet zëri i tyre.
Zukorliq ka thënë se si vazhdimisht dëgjon se shqiptarët duan një shtet tjetër në Ballkan, Serbia Asociacionin, ndërsa ka pyetur se çfarë marrin boshnjakët e Kosovës.
Sipas tij, boshnjakët në Sreçkë, afër Prizrenit, nuk e kanë gëzuar të drejtën për të pasur nënkryetar të komunës dhe as për të pasur 10 për qind të të punësuarve nëpër institucione. Ai ka thënë se Komuna e Mamushës që ka 5,000 banorë, e banuar nga turqit, ka marrë statusin e komunës në vitin 2008. Ai ka pyetur pse Sreçka, apo Gora, nuk kanë statusin e komunës.
“Kam biseduar me lidershipin politik të boshnjakëve në atë zonë dhe disa prej tyre më kanë thënë se kanë ndërmend të ndërmarrin një iniciativë për Asociacionin e komunave boshnjake, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet”, ka thënë Zukorliq.
Deklarimet e Zukorliqit i ka hedhur poshtë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje në një deklaratë për Sinjalin ec ila tha se nuk kanë pasur asnjë bisedë me Zukorliqin.
Balje u shpreh se Zukorliqi nuk është personi përgjegjës për të qenë zëri i boshnjakëve të Kosovës, duke shtuar se boshnjakët, goranët e romët nuk kanë nevojë për përfaqësues në Kuvendin e Serbisë.
“Dje kemi dëgju çka ka fol Zukorliqi në Kuvendin e Serbisë kjo është shumë shqetësuese për mua personalisht sepse ka marrë një iniciativë për me fol në emër të boshnjakëve pa asnjë të drejtë pa asnjë bisedë me neve. E ka prezantuar veten si personi i cili ka folur në emër të boshnjakëve, goranëve, romëve. Ne nuk kemi nevojë për të, ne i kemi boshnjakët, goranët e romët që janë në nivele lokale e qendrore dhe ne aspakt nuk kemi nevojë që dikush me na përfaqësu neve në Kuvendin e Serbisë“, tha ajo.
E formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës, Balje e konsideron si nismë të rrezikshme për vendin kështu duke shprehur se “duhet bërë çdo gjë për ta ndaluar një skenar që e ka Bosnja”.
“Formimi i Asociacionit është i rrezikshëm për neve me bë një Republika Serbe në Kosovë edhe pa marrë parasysh duhet të bëjmë çdo gjë për me ndalu një skenar të cilin e ka pas Bosnja“, u shpreh deputetja Balje për Sinjalin.
Qeveria e Kosovës pritet të konsiderojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse plotësohen gjashtë kushte. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti në seancën e 2 shkurtit në Kuvend ku u fol për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.
“Kushti i parë është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës I dyri, Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
Kushti i tretë, Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Kushti i katërt, para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale. Kushti i pestë, të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane dhe kushti i gjashtë dhe i fundit, Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)”,
Ndryshe, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.