“Rasti Daka” ka nxjerrë në sipërfaqe edhe njëherë dallimet jo vetëm mes pozitës dhe opozitës por edhe dallimet mes LDK-së dhe opozitës tjetër në Kuvend, PDK-së e AAK-së.
Dhe përderisa “Rastin Daka” pritet ta interpretojë juridikisht Gjykata Kushtetuese (sipas mendimit tim në favor të presidentes Osmani) rreth Valdete Dakës, kryetares me mandatin 8 vjecar në krye të KQZ-së, nuk kanë pse të jenë të përbashkuar LDK me PDK-në e AAK-në.
Fundja, Valdete Daka është vetë gjyqtare. Madje gjyqtare e Gjykatës Supreme të Kosovës! Kush më shumë se sa ajo mund ta kërkojë drejtësinë për vetveten e saj se sa ajo vetë? Pse partitë politike duhet ta marrin në mbrojtje një kryetare të një Institucioni të pavarur sic është KQZ-ja? Nëse Valdete Daka ka mbetur që të mbrohet nga partitë politike opozitare atëherë ajo nuk është më e pavarur, është e varur nga ndikimi politik i opozitës?
Në këtë drejtim edhe qëndrimi neutral i LDK-së në rastin e Valdete Dakës është sa i arsyeshëm aq edhe i pavarur politikisht.
Tek e fundit, nëse Valdete Daka është emëruar në krye të KQZ-së tash e 8 vjet më parë, a do të thotë se ajo duhet të vazhdojë të jetë në krye të këtij Institucioni të pavarur edhe 8 vjet të tjera? Dhe krejt në fund të fundit, nëse Valdete Daka është emëruar dy herë nga një ish-president i Kosovës, pse duhet të mbetet në krye të KQZ-së kur tashmë vendi ka në krye të shtetit një emër tjetër, një presidente tjetër të vendit?
Prandaj lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku ka bërë shumë mirë që nuk i është bashkuar “korit të zhurmës opozitare” të PDK-së e AAK-së në “rastin Daka!”
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku nuk ka folur me të njëjtin fjalor as në rastin e deklarimit të zëdhënësit të Qeverisë Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit. Madje deklarimi i Abdixhikut për këtë deklarim të zëdhënësit të Qeverisë Kurti ka qenë krejt në nivel vetë zëdhënësit: pra në nivel të një axhamie, që nuk di cka flet!
Cdo interpretim tjetër do të ishte i tepërt dhe bajat.
Prandaj të tepërta dhe bajate dolën edhe reagimet e zjarrta të Hoxhajt, të Haradinajt, të deputetes Blerta Deliu – Kodra, të ish ministrit Selim Selimi e të “korit tjetër të zhurmës opozitare” në vendin tonë.
Pra, pse duhe të reagojë e gjithë “opozita e bashkuar” kundër një deklarate të një zëdhënësi të Qeverisë? A duhet që krejt opozita të turret drejt një zëdhënësi?
Mbi të gjitha, a ishte ky vetë Ramush Haradinaj i cili së paku për një orë e vuri në pikëpyetje Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 Shtatorit të vitit të kaluar? Pra, vetë Haradinaj njëherë i tha “Jo” kësaj Marrëveshje!
Bile, sipas deklarimit të ish-kryeministrit Hoti, atë ditë, pra më 4 shtator të vitit 2020, për një moment është prishur koalicioni qeveritar. Kur Amerika ia “tregoi dhëmbët” Ramushit në Prishtinë, ai u dha “leje” qeveritarëve të tij që të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj Marrëveshje historike.
Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 Shtatorit mbron vetë Shtëpia e Bardhë, e mbron presidenti Bajden, e posacërisht sekretari amerikan Antony Blinken.
Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 Shtatorit nuk kanë pse ta mbrojnë as Enver Hoxhaj e as Ramush Haradinaj!
Aq më pak, Marrëveshja e 4 Shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk mund të relativizohet nga një zëdhënës tekonkrat i një Qeverie të Kosovës!
Për këto dhe shumë cështje të tjera, Lumir Abdoxhiku dhe LDK-ja nuk duhet t’i bashkohën “korit të zhurmës opozitare” të PDK-së e AAK-së.
Atë ditë që Lumiri flet si Enveri e Ramushi, nuk ka më LDK!