Bajrush Morina: Edhe rugovist edhe me Vetëvendosjen, nuk ka as hije as shije, bre!
E dëgjova (e lexova në të vërtetë) një deklaratë të një kordinatorit të Listës Guxo (këta vec koordinator kanë se as nuk kanë kryetar-e partie, as kryetar-e dege e as që kanë mbajtur ndonjëherë ndonjë kuvend zgjedhor) nga Istogu i cili qenka “rrebeluar” paksa nga qëndrimet e “Parisë” së Listës Guxo në Prishtinë, duke kërkuar që kandidati për Istog të jetë patjetër i kësaj Liste, ndryshe nuk garojnë me Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte.
Ndër të tjerash ky koordinator (kërkoj falje nga lexuesit por as emri nuk po më kujtohet) paska deklaruar se është “rugovist” dhe nga Abdixhiku (i LDK-së) kërkon ma shumë reforma!
Interesante kjo deklaratë e këtij “rugovisti” që ka votuar për Vetëvendosjen!
Edhe më interesante kërkesa e tij drejtuar liderit të LDK-së që të vazhdojë edhe më shumë reformat në LDK!
Pra ky me GUXIM po deklaron se ende është “rugovist” dhe me plot GUXIM po kërkon nga kryetari Abdixhiku që të vazhdojë reformat e tij në LDK.
E kuptoj ndjenjën emocionale të këtij “rugovisti” të revoltuar që me zor e ka rrumbullakësuar numrin e Vetëvendosjes në zgjedhjet nacionale të 14 Shkurtit.
Në këto 10 vjetët e më shumë, kam takuar mjaft rugovistë e LDK-stë të dëshpëruar, të revoltuar madje edhe të nervozuar.
Bile kur dëgjova (lexova) këtë deklaratën e këtij “rugovisti” të GUXUAR mu kujtua një detaj i një momenti pak a shumë të përafërt që ka ndodhur me mua dhe një mik timin, gazetar (atëbotë) dhe sot zyrtar për medie në një institucion të rëndësishëm të Kosovës, ndodhur në prag të zgjedhjeve të para lokale të pasluftës.
Disa ditë më parë, një mik yni i përbashkët na ftoi një një aheng (mbrëmje) me udhëheqjen e PREK-ut të Bujar Bukoshit.
Duke ecur rrugës për në shtëpi, “ia dhamë fjalën njëri-tjetrit” së në zgjedhjet lokale do t’ia japin votën mikut tonë të përbashkët, që garonte në Prishtinë në listën e PREK-ut të Bujar Bukoshit.
Ditën e zgjedhjeve, dikur pasdite e morëm njëri-tjetrin në telefon:
Më tha: “Bal, me të tregu diçka: Nuk më ka ba ba dora punë e mos me votu LDK-në! Inercioni o bal, nuk kam mujt me votu tjetër llogo të partisë! Por, mos i trego F…(mikut tonë të përbashkët) se bohemi hor!”
Ia ktheva: “Hajt bal, se kështu ka ndodhë edhe me mua! U mata e u çmata por prapë dora më shkoi te numri i LDK-së! Nuk kemi çka me ba o bal! Edhe ai pse burrë ai nuk ndejti te Rugova po shkoi të Bukoshi?”
Dashti Zoti (edhe vota e popullit natyrisht) dhe PREK-u nuk preku as një troh pushtet as në Prishtinë e as në Kosovë.
As ne e as miku ynë i përbashkët nuk e bëmë llaf fare çështjen e “votës së premtuar”!
P.S. Summa summarum: Ju “rugovistët” e revoltuar apo “ju rugositët e Albinit” është koha që ta largoni prej vetvetes inatin, ndaj LDK-së, ndaj Isa Mustafës. Edhe ju vetë e dini se nuk ua do zemra as Albinin e as Vetëvendosjen.
Tash Vjosa nuk është më me ju! As Isa Mustafa nuk është më në LDK!
Prandaj sa të mbeteni rrugëve një ditë, kthehuni sot në Shtëpinë e Madhe, në LDK!