Dje…
Kur kam qenë fëmijë, por edhe më vonë si i ri, shpesh herëi dëgjoja kushërinjtë, hallat, dhëndurët e më vonë edhe motrat të cilët kur ktheheshin për fund vit në vendlindje, tek thonin se “…po shoh andrra për cdo natë për këtë vend e për këtë shtëpi” . Atëbotë më dukej sa e pabesueshme aq edhe ironike kjo klithje e tyre shpirtërore. Në medjen time fëminore por edhe rinore “bluaja” tjetër mendim për jetën e mërgimtarëve, të familjarëve të mi që jetonin e punon për shumë vite në vende të ndryshme të Evropës, kryesisht në Gjermani, në Zvicër apo në Austri e gjetiu.
Familjarët e mi mërgimtarë, që sot Valoni (Syla) po i quan “gernaça” në fakt mund të quhen edhe “gërhaça”. Edhe fjala “gërnaç” edhe “gërhaç” nuk e kanë kuptimin pezhorativ, aq më pak ofendues. Valoni e ka shpjeguar kuptimin e fjalës “gërnaç” ndërkaq unë mendoj se jeta e mërgimtarëve larg atdheut, në atdhe të huaj është një “gërhamë”, pra një mungesë e një frymarrje të lirë, një frymarrje me pengesa, më gërhatje, një frymarrje jo e lirë, jo vetëm si një frymarrje fizike…
Nejse.
Po kthehetm te andrrat.
Siç ju thashë edhe më lart nuk u kam besuar asnjë prej familjarëve të mi të cilët kur ktheheshin për pushime, zakonisht për pushime dimërore, në ndejat e pasdarkës, madje edhe atëherë kur ndaleshin dritat dhe dhoma e ndejës ndriçohej me llampë vajguri që lironte tim sa një lokomotivë, ata ose ato, nuk harronin t’i përsërisnin pothuaja fjalët e njëjta: “Nuk shkon natë pa e pa andërr babën e ndjerë! Nuk shkon javë pa e pa n’andërr këtë shtëpi! Nuk shkon muaji pa ardhë njëherë (n’andërr) e me ju pa krejtve kështu bashkë…” etj.
Unë atëherë nuk kisha mundësi t’i kundërshtoja këto fjalë të tyre por në vetvete nuk u besoja. Aq më pak për shkak se në rininë time lexoja “Zërin e Rinisë” ku herë pas here botoja ndonjë letër në rubrikën “Letrat e lexuesve” dhe ku kisha mundësi të lexoja shkrime e të shihja fotografi të jetës përtej “kufijve” të fshatit apo të vendlindjes. Atëbotë nuk kisha qenë as në Munih, as në Zyrih as në Vjenë e as në Paris, por fotografitë e publikuara në “Zëri…” herë pas herë, madje edhe në kolor më krijonin një përshtypje krejt tjetër nga “bota e vendlindjes” time dhe krejt ndryshe nga ajo që rrëfenin “gernaçat” apo “gërhaçat”e mi familjarë.
“Po shohin andrra për lloqin e Gexhës (vendlindjes time) për njerëzit e vdekur e nuk po kënaqen me bukuritë e “Marian Platz”-t të Munihut, Katedralës së Vienës apo Liqenit të Zyrihut?” Kështu rezonoja me mendjen time atëbotë kur dëgjoja për andrrat e familjarëve të mi kurbetçarë”.
Dhe nuk u besoja, ose nuk doja t’u besoja rrëfimeve të tyre për andrrat në mërgim!
Sot!
Sot, kur po jetoj çerekun e fundit të jetës time (nuk kisha dashtë të jetë çereku i fundit por gjysma e jetës time, megjithatë janë bërë bukur do numra të viteve që shënojnë edhe jetëgjatësinë timë) më ka rastisur që të bëhem edhe unë “gërnaç” apo “gërhaç”.
E çka është më e pabesueshmja, po shoh andrra, asish andrra si të familjarëve të mi, andrra kryesisht në katund, në vendlindje ku kam kaluar vetëm fëmijërinë dhe një pjesë të shurtë të rinisë e jo edhe në Prishtinë ku kam kaluar shumicën e jetës time në Kosovë.
Shoh anrra shpesh. Madje andrra që ma prishin gjumin e që më “shashtrisin” e më bëjnë qull nga djersët në pikë të gjumit.
Shoh anrra se si shkoj në katund, e hap dërën e shpisë e cila është e mbyllur tash e sa vjet, hyj në oborr, pastaj se si vijnë motrat, axhallarët, kusherinjtë, mbesat e nipat me m’pa! Vijnë i madh e i vogël! Ka ardhe Dushi prej Amerike!
Herën tjetër shoh andrra se si në shitoren e fshatit janë mbledhur të rinjtë, gjysmën prej të cilëve nuk i njoh, janë 20 e sa vjeçar e unë nga fshati jam larguar këtu e 35 vjet më parë. Hyj në shitore. Krejt ngriten në këmbë. Më përshëndesin ngrohtësisht. I them shitësit të ju sellë të gjithve nga një pije prej meje. Ata, disa kundërshtojnë e të gjithë më falënderojnë.
Shoh andrra se si në Shtëpinë e katundit, të cilën bashkëvendasit e mi kanë ndërtuar në kohë kur unë jam larguar nga Kosova, janë mbledhur pothuaja krejt katundit. Shumicën e më të moshuarve i njoh dhe më respektojnë si gjihtmonë. Vërej se disa prej të moshuarve mungojnë, në mesin e tyre edhe baba im që ka shkuar në amshim dy vjet më parë.
Më pyesin me rend, e unë ngritem në këmbë se dua t’i sho të gjithë, e t’i pyes të gjithë me rend :”A jeni mirë? A jeni krejt familja shëndosh e mirë? Si kaluat këtë farë vurusin e Kinës? A keni punu sivjet? A jeni krejt kah shpija apo ndonjë djalë ju ka dalë në kurbet? Etj etj.
Pastaj ata më pyesin për familjen, për fëmijët në Amerikë dhe ata në Prishtinë, për nanën e mbi të gjitha për Amerikën, për Nju Jorkun…
Unë “gërhas” pra ju flas mirë sepse ata kështu duan, kështu ju buzëqesh fytyra, duan shpresë në zemrat e tyre e mua më besojnë shumë sepse gjithmonë ma kanë pas hatrin për të mirë.
Në ndejë e sipër ngritet në këmbë Baca Limë (Halim Imeri, apo Halim Himaj).
“A po dëgjoni knej”, ju drejtohet kryesisht të rinjve që janë ulur më poshtë në Shtepinë e katundit që duket për mrekulli e rregulluar e ku mund të zënë vend mbi 200 veta.
“A po e shihni këtë djalë. Qysh kur ka qenë i vogël e shkonte me dhenë apo i ruante kingjat, e merrte librin me veti. Libër e fletore. Qysh atëherë ju kam thënë se ky djalë ka më shku përpara…N”Prishtinë ka qenë i pari, a po e mbani në mend ku dilte për çdo natë n’televizor! Qe tash ku ka mbërri, deri në Amerikë”.
Mua më bëhet zemra mal, dhe si me modesti shtoj se “tash këta të rinjtë janë edhe më të mençur, edhe më të shkolluar…
Dhe në të gjitha andrrat e mia, kur arrihet kulminacioni, pra kur dua të shijoj më të mirë, brof, më prishet andrra! Më del gjumi!
Brofi nga shtrati. Nganjëherë edhe nxjerrë nga një bërtimë. Gjithmonë i bërë qull nga djersët.
-Çka ke o Bajrush, më pyet gruaja.
-Pashë një andërr të keqe!…
Derisa laj fytyrën, në pasqyrë shoh vetveten të zverdhur e të bërë dyll.
Përpiqem të shtrihem e të nxë fillin e fillimit e të mbarimit të ëndrrës por nuk arrij dot.
Kur taman më nxënjë kaplli e vogël, më zgjon alarmi i orës.
Koha për të shkuar në punë.
Gjithçka me orar dhe asgjë nuk bën me vonesë.
Vonohesh, të humb treni, të humb treni njëherë, dy herë, tri herë, e herën e tretë shefi të qet prej pune. Mbesish pa punë. Vjen fundi i muajit duhesh me pagu rentën, apo qeranë. Duhesh me pagu rrymën se ta këpusin e të lënë në terr, duhesh me pagu telefonin, duhesh me ble biletën javore ose mujore të trenit, duhesh me ble ushqim çdo ditë e çdo javë, duhesh pak me kursy e pak me i qu do pare në Kosovë.
Tuj i blu n’mendje krejt këto gjana, i shtoj hapat dhe shoh se arrij në stacionin e trenit 5 minuta para kohe. Nëse i kam do pare t’ima në xhep e blej një kafe, në të kundërtën e qoj ditën edhe pa kafe të mëngjesit.
Pastaj kalon një ditë, dy ditë, tre ditë…pesë ditë dhe në fund të javës më qesh fytyra: Të premten e marr çekun apo rrogën. Këtu në Amerikë çeku apo rroga në të shumtën e rasteve merret në fund të javës apo edhe në fund të javës së dytë. Nuk ka paga mujore këtu. Me i mlbedh krejt çekat javorë, edhe do të grues edhe ndonjë “lekë shtesë” prej djalit e vajzës, bahen do pare të mira.
Pastaj bon plane, ose sheh andrra me sy qelë. Apo shoh zhgandrra! A me ble shtëpi këtu në Nju Jork a me ndërtu një në katund. Apo….ndoshta me dashtë Zoti me na dhanë shnetë e jetë, i bajmë të dyjat. Edhe një veturë të mirë. Të gjitha këto me kredi, u muar vesh, jo me pare në dorë. Krejt Amerika është “n’morgiç” Krejt paguajnë “morgiça” apo kësta të kredive. Edhe Presidenti Biden paguan “morgiç”. Po u vonove, banka ta merr shtëpinë, veturën dhe krejt çka ke!
Nesër!
Nuk e di ku do të më gjej e nesërmja.
Shpesh shoh andrra në gjumë.
Shpesh bëj plane e shoh andrra me sy qelë! Shoh zhgandrra!
Nesër është edhe një ditë tjetër, edhe një ëndërr më shumë, edhe një zhgandërr ma tepër.
Por të gjitha këto andrra dhe zhgandrra të jetës në mërgim janë “gërhama” janë “gërrhatje” të një frymarrje me aritmi, frymarrje të shpeshtuara, frymarrje me ofshamë, me shtres, me orar të caktuar, frymarrje me vrap, pa u ndalë deri në frymarrjen e fundit!
“Gërnaçat” apo “gërhaçat” shohin andrra, andrra të trishta!
Unë jam dëshmitar i këtyre andrrave të këqija!