British Broadcasting Corporation, i cili në botë njihet me akronimin BBC, që në shqip do të thotë Rrjeti Transmetues Britanik, në tetor të këtij viti kremton 100 vjetorin e themelimit të tij.
BBC-në me seli në Londër, kisha fatin ta vizitoja në tetor të vitit 2007. Isha shumë i lumtur që në selinë e transmetuesit më prestigjioz në botë, të takoja kolegun e studimeve dhe gazetarin, Faik Luta nga Prishtina.
Gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist, shqiptarët u informuan nga mediumi më prestigjioz botëror BBC. Zëri që dilte nga kutia magjike, ishte besimi dhe shpresa e tyre gjatë mbijetesës në kampin komunist.
Sebep për këtë postim u bë agresioni rus në fundshkurtin e këtij viti në Ukrainë, derisa gazetarët e gjigantit BBC, që nga dita e parë e luftës, janë të pranishëm kudo dhe informata e saktë e këtyre gazetarëve të guximshëm e profesionistë në kohë reale të lë pa fjalë.
Secili shtet i Ballkanit Perëndimor ka transmetuesit e tyre publikë, por më shumë se në kryerjen e misioneve të tyre, këta transmetues kanë një mision tjetër; punësime të njerëzve pa kriteret më elementare të profesionalizmit, të cilët më shumë se në kryerjen e misionit të shenjtë të gazetarit, kanë për obligim të shtyejnë agjenda partish politike, por edhe të korporatave, të cilat më shumë se dobi, u kanë sjell dëme të pariparueshme ekonomike shteteve të tyre.
Kur në korrik të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës shkarkoi Bordin e RTK-së, pjesë e të cilit isha edhe unë, ky Transmetues publik kishte hiç më pak se 1.029 punonjës! Çështja më jonormale në këtë Bord, ishte kur provoje të diskutoje për problemet më normale, të cilat transmetuesin publik e kishin ngufatur dhe e kishin shtrirë përdhé!
Krahasimi midis BBC dhe transmetuesit tonë publik është i padrejtë, por derisa transmetuesi ynë publik nuk është i përgatitur për situata të këtilla, atëherë është e padrejtë që ky i fundit të dërgojë gazetarë në metro trenash e stacione autobusësh në Poloni, për të kamufluar kinse lajmin në kohë reale nga “zonat e luftës”, që në fakt është vija kufitare midis Polonisë dhe Ukrainës!
Punën më të madhe që RTK si transmetues publik do të mund ta bënte këto ditë, është të organizohet, që të paktën t’i përkthejë lajmet nga transmetuesit gjigantë si BBC, CNN dhe shtëpi tjera informative, në mënyrë që publiku ynë për ngjarjet në Ukrainë të mos mbetet në terr informativ.
Këtë shkrim të shkurtër, dëshiroj të përmbyll me moton e thjeshtë e fort mbresëlënëse të gjigantit BBC: “Kombi do të flas paqe ndaj kombit”. Kjo moto dhe ky mision i BBC-së së Mbretërisë së Bashkuar, duhet të jetë postulat dhe mision edhe për Transmetuesin tonë publik.