[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bajram Mjeku: Presidenti Rugova, Viti i Hartave dhe shkëmbimi i territoreve!



Përvjetori i njëmbëdhjetë i shkuarjes në amshim të presidentit Rugova, më shumë se në shenjë kujtimi e respekti për themeltarin e pavarësisë, u shfrytëzua për “folenë e shqipeve majë Çakorrit” dhe për “vullnetin e Rugovës për shkëmbim teritoresh!”. Këto ide të pasakta e imagjinare, nuk i bëjnë nder askujt, veçanërisht në shënime përvjetorësh të personaliteteve të mëdha si presidenti Rugova që ka bërë shumë për vendin.
Flas vetëm për periudhën kur kam punuar në Qendrën për Informim të Kosovës, më saktë nga dhjetori i vitit 1991 deri më 24 mars të vitit ‘99. Se a është biseduar pas luftës së fundit në Kosovë për Çakorrin dhe për shkëmbime territoresh midis Kosovës e Serbisë, as isha dëshmitar, as kam informacione.
Viti 1994, në mediat vendore e ndërkombëtare sa herë shkruhej për Ballkanin dhe vatrat e luftës në Bosnjë e Kroaci, ndryshe quhej “Vit i Hartave”. Në gjysmën e parë të këtij viti, në tavolinën e presidentit Rugova, midis shumë projekteve tjera për Kosovën të ardhura edhe nga emisarë të ndryshëm evropianë, pat mbërrijtur edhe një propozim i akademikut serb, Dobrica Qosiq. Akademiku serb propozonte ndarjen e veriut të Mitrovicës, më saktë vendosjen e kufirit serb deri në lumin Ibër, si dhe krijimin e një korridori mespërmes Kosovës! Presidenti Rugova e pat kundërshtuar fuqishëm këtë ide makabre për ndarjen e Kosovës deri në përbuzje. Rugova me të drejtë thirrej në sovranin, më saktë në vullnetin e shqiptarëve për një Kosovë të lirë e sovrane.
Një vit më vonë, një ambasador i një shteti evropian me shumë ndikim, hodhi idenë e ndërmjetësimit të shtetit që e përfaqësonte ai, për statutin e Kosovës si republikë e tretë në kuadër të ish-federatës serbo-malazeze. Edhe këtë propozim presidenti Rugova e pat kundërshtuar fuqishëm.
Që të jemi korrekt me Zotin dhe veten, atëbotë vija autonomiste qëndronte hatërmbetur. Jo rrallë thoshte se fati ynë është rikthimi i autonomisë së vitit 1974!