Sot derisa mendova të nisja këtë shkrim, nisa të çuditesha me veten! Si është e mundur që asnjëherë të mos shkruaja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili më në fund mbërrijti në pragun tonë siç mbërrinë Dita e Dekës?!
Kur isha fëmijë, familja ime, e cila është unikate në Kosovë, pasi dy fshatra përbëhen nga një familje dhe me linjë të afërt gjaku, mua më konsideronin djalin më të urtë. Është e çuditshme pse ndjehesha aq keq kur më thërrisnin “Bajrami i urtë!”. Ndjehesha keq, sepse të rriteshe në një familje të madhe, kur ashpërsia njerëzore konsiderohej virtyt, ishte e panatyrshme!
Nga i gjithë fisi im dhe me primatin e djalit të urtë, më së miri trajtohesha nga mixha Fejzë, që ndjesë pastë ishte kushëriri im. Ai ishte një burrë me pamje madhështore dhe ishte mocanik me gjyshin tim. Ishte i dashur e fisnik dhe shtati i tij kalonte mbi 1.90. Gjatësia e shtatit të tij ishte e zakonshme për burrat e brezit të gjyshit tim. Kur ata ecnin udhës me plisa të bardhë, tirq galana e jelek allafranga dhe derisa leshi i gjoksit të tyre shpërthente jashtë grykës së këmishave të linjëta, në imagjinatën time prej fëmije kisha ndjesinë se të gjithë kreshnikët e legjendave janë kushërinj të mi dhe kanë origjinë nga vendlindja ime!
Mixha Fejzë, veç respektit prej “engjëlli” që kishte për mua, ai njihej edhe për një fakt tjetër. Ishte punëtori me stazhin më të gjatë si punonjës i hekurudhave në ish-Jugosllavi dhe për të shkruanin edhe gazetat e kohës.
Unë po rritesha dhe isha student, por dashuria e mixhës Fejzë për mua veçse rrëzëllente më shumë.
Një mëngjes nëntori të vitit 1987, mixhën Fejzë e takova tek ecte rëndshëm udhës. Ai burri i dikurshëm e vigan, ecte pesë-gjashtë hapa dhe ulej e pushonte. Vrapova drejt tij dhe në fytyrën e tij pashë çehren e dekës. Pasi e shërbeva me ujë dhe i propozova të kontrollohej te mjeku, ai më tha:
– Prej doktorit u ktheva djali jem. Kur më kontrolloi, më pyeti mos rastësisht najherë në rininë time e kam kapërcyer lumin gjatë dimrit?! Doktorit i thashë se gjithë jetën teme në verë e dimën e kam kapërcye lumin Drenica!
Nuk kaloi java dhe në mëngjesin e 28 Nëntorit të vitit 1987, mixha Fejzë ndërroi jetë. Kisha ndjesinë se edhe Zoti e kishte ndjerë urtinë dhe bujarinë e tij, që të ndërronte jetë e të varrosej Ditën e Flamurit.
* * *
Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka një origjinë, ashtu siç kishte origjinë sëmundja e kushëririt tim të dashur, i cili për mungesë të një ure mbi lumin që e ndante vendlindjen mespërmes, detyrohej që ta kapërcente lumin verë e dimër.
Të kthehemi pakëz mbrapa që ta gjejmë fillin e së keqes. Që nga qershori i vitit 1999, më saktë që kur përfundoi lufta në Kosovë, punët në vendin e sapoçliruar nisën mbrapshtë. Çuditërisht u bë modë që pasardhësit e ish komunistëve dhe ish sigurimsave, të trajtoheshin si është më së miri, derisa këta të fundit lëvrinin si thneglat kineze. Në fillim u rreshtuan në organizata joqeveritare, ndërsa me t’u shpallur pavarësia e vendit, shumë nga ata me shpejtësi marramendëse u gjendën në pozita këshilltarësh politikë, pastaj në pozita shefash të agjensive të ndryshme dhe më e keqja nga të gjitha të këqijat, ata u emëruan edhe në pozita të shefave të agjensive të sigurisë! Ky ishte momenti më i pikëlluar i gjeneratës sime. Ne që gjatë okupimit quheshim Brezi i Republikës dhe kishim bërë gjithçka për pavarësinë e vendit, kishim rrezikuar ekonomitë familjare dhe krejt në fund edhe jetën, mbetëm pa një pëllëmbë atdhe!
Nuk është sekret publik të dihet shkaku i avancimit të tyre. Shefat e partive politike, donin që në pozita kyçe të emëronin njerëz të shantazhuar, që t’u bindeshin me lehtësi urdhërave të tyre, por këta liderë kishin harruar se nën vellon e shantazhit, i futën të gjitha institucionet më të rëndësishme të vendit!
Nesër më 31 janar, fillon sendërtimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pikërisht nesër, Asociacioni troket në portat tona, ashtu siç troket tek secili njeri në këtë botë Dita e Dekës!
Faji është i dikujt dhe ka një origjinë, por shqiptarët kanë një fat; fajin si gjithmonë e lënë jetim dhe kështu punët e nisura mbrapshtë, nuk kanë si ta kenë tjetër fund veçse një fund të keq.