[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Bahtir Maxhuni: Shteti i Kosovës, tashmë duhet të ketë ushtrinë e vet!



Rruga e Kosovës në periudha të ndryshme që ka kaluar dhe po kalon kohëve të fundit është dëshmi se ka ardhur koha (e mbase jemi pak vonë në këtë aspekt) ta ketë ushtrinë e vet për t`ju afruar qytetarëve të vet mbrojtje dhe siguri qoftë në aspektin faktik por edhe në atë psikologjik.

Pas përfundimit të luftës, Kosova në aspektin e sigurisë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar e krijoi Policinë e Kosovës që në atë kohë është quajtur SHPK për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës. Më tej u krijua TMK si pasardhëse e UÇK-së me mandat për dominim të fushave të minuara nga forcat serbe, për fatkeqësi natyrore etj.  Por mbrojtja e  shtetit të Kosovës ishte tërësisht kompetencë e paqeruajtësve  të  NATO-s, gjegjësisht misioni i KFOR-it.

Nga kjo kohë e deri në vitin e shpalljes së Pavarësisë më datën 17 shkurt 2008 në Kosovë janë zhvilluar shumë ngjarje apo skenare të fabrikuara dhe të orkestruara në kuzhinat serbe kryesisht nga akademia e shkencave të Serbisë, ku shteti serb ka investuar dhe vazhdon të investojë në këtë akademi në veçanti për skenarë të planifikuar dhe të implementuar në faza kohore dhe të kornizuara për Kosovën, kohë pas kohe të mbështetura fuqishëm edhe nga Rusia dhe shërbimi i tyre intelegjent.

Si vazhdimësi e ngjarjeve erdhi edhe dhuna e Marsit 2004 në Kosovë, ku fuqitë ndërkombëtare të cilat monitoronin zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së filluan të largohen në pikëpamjet e tyre rreth çështjes së çfarë duhet bërë më tutje. Pesë shtetet Perëndimore të  Kuintit erdhën në përfundim se pritja që Kosova të përmbushë “standardet para statusit” nuk do të funksiononte, siç shihte Kuinti, procesi duhet të lëvizte përpara.

Pikërisht ishin shtetet e BE të cilat po kërkonin me ngulm që statusi i Kosovës të sqarohej dhe BE ta drejtonte misionin e ri ndërkombëtar në Kosovë dhe këtë do ta bënte vetëm nëse krijoheshin rrethanat plotësisht të qarta për të ardhmen e Kosovës.

Në fund të vitit 2005, Grupi i Kontaktit, në konsensusin e tij të fundit deklaroi parimet udhëzuese për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Sekretari Gjeneral i OKB caktoi Marti Ahtisaarin, që të udhëheqë procesin e arritjes në një marrëveshje rreth statusit.

Ai arriti të nxjerrë nga këto bisedime elementet për atë që u bë e njohur si Plani i Ahtisaarit.  Ahtisaari u përball me një detyrë të vështirë për shkak të pozitave të ndryshme mbi statusin final të çështjes së Kosovës që reflektonin qëndrimet kundërshtare të Beogradit dhe Prishtinës.

“Kosova në rrugën e shtetit të mëvetësishëm” presidenti Ahtisari në dokumentin e tij vendimtar për Kosovën arriti të propozojë Pavarësi të mbikëqyrur.

Me mbështetjen e garantuar të Kuintit,  Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ku plani i Ahtisaarit shërbeu si bazë për një rol të vazhdueshëm ndërkombëtar për t’u realizuar misioni i UE për Sundimin e Ligjit (EULEX), kapacitet shtesë për Policinë e Kosovës, me një zinxhir të unifikuar të komandës së shërbimeve policore në gjithë Kosovën, formimin e Shërbimit të Inteligjencës (AKI), institucion i sigurisë  për të  mbikëqyrur kërcënimet ndaj sigurisë së brendshme në Kosovë, po ashtu edhe formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jetë kryesisht përgjegjëse ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive dhe mbrojtjen civile brenda Kosovës. Po ashtu dhe t’i ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera, që  më pas parashihej të hartohej dhe përgatitej për përmbushjen e funksioneve të tjera të sigurisë, të cilat nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit, por jo në aspektin e mbrojtjes së shtetit, kompetencë të cilën e mban KFOR-i, me teknikë dhe armatim të lehtë që nënkupton se nuk do të zotërojë armë të rënda si tanke, artileri të rëndë apo kapacitet ajror sulmues dhe mbrojtës.

Me kalimin e kohës dhe punës së pa lodhur të organeve të Kosovës për forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, strategjike dhe ushtarake është vëerejtur se Kosova ka kapacitet ta formoj ushtrinë me performancë të shtuar ushtarake dhe nuk krijon barrë të panevojshme financiare për resurset e Kosovës.

Po ashtu Qeveria e Kosovës dhe dikasteret linjë gjatë vitit 2012 e panë të rrugës dhe u vlerësua se duhet të bëhet Reforma Strategjike e Sektorit të Sigurisë.  I koordinuar dhe i konsultuar me faktorin ndërkombëtar e kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një periudhë kohore disavjecare  nga ku  dolën edhe propozimet se Kosova ka nevojë për një Forcë të Armatosur të Kosovës. Të gjitha dokumentet e nevojshme u përgatitën dhe u vunë në dukje gjithashtu objektivat e shtetit të Kosovës me interesat strategjike të saj.

Mos gadishmëria dhe mosbashkëpunimi i disa partive politike nuk mundësoi që të shkonte  në parlament propozimi i grupit punues për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Viteve të fundit po e shohim si domosdoshmëri që Shteti i Kosovës duhet të bëhet me ushtri profesionale që ka kapacitete për marrjen e mandati të ri me misionin për të ofruar mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh përkasinë e tyre etnike.

Janë shqetësuese deklaratat kërcënuese të zyrtarëve të lartë nga Serbia, po ashtu shqetësuese janë dislokimi i forcave të mëdha ushtarake, njësia speciale “Kbra”, xhandarmëria dhe njësia e posaqme “PTJ” pranë kufirit me Kosovën.

Veprimet e tyre të fundit duke filluar nga hapja e pompave të derivateve që kokën e kanë në Rusi, me ndërtimin e murit që jep idenë e ndarjes, ndalim-arrestit të z. Haradinaj në Francë.

E së fundi me trenin që ishte një provokim për t’i realizuar objektivat e veta që mund të shkaktojnë incidente të përmasave jo të vogla pastaj edhe retorika e tyre, shihet se po lëvizin gjërat jo në drejtimin e sigurisë dhe paqes në rajonin tonë, (po ashtu edhe shqetësimet rajonale si në Maqedoni, Mal të zi) të gjitha këto me konotacione  politike.

Veprimet e tilla janë provokime të hapura ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial,  ndërsa rritja e numrit të ushtarëve serbë në brezin kufitar me Republikën e Kosovës paraqet kërcënim direkt për mjedisin e sigurisë në Kosovës dhe rajon.

Nevoja që Kosova të bëhet me ushtri është tepër urgjente, gjetja e një opsioni formal, do të nënkuptonte zgjerimin e misionit të FSK-së deri në krijimin e kushteve për transformim të plotë.

Procesi i tranzicionit të FSK-së,  që parashihet të bëhet dhe është përgatitur për periudhën e ardhshme 10-vjeçare të misionit të saj të ri (me krijimin e FAK), duhet që sa më parë të bëhet ndryshimi i mandatit dhe të pajiset edhe me armatim më të rëndë se ai që posedon momentalisht.

Çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës duhet vënë në rend dite të Kuvendit edhe pse nuk ka gatishmëri të komunitetit serb, ndërkohë që ka pasur gatishmëri të pozitës, opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera jo serbe ditëve të fundit.

FSK është trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe është e gatshme të bëhet krejtësisht Ushtri e Kosovës. Është forcë profesionale, shumë etnike me përfaqsimin e duhur gjinor dhe mbi të gjitha e gatshme t`u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes në tërë territorin e Kosovës. Duke u bazuar në këto arritje qoftë në aspektin profesional taktiko-teknik dhe me standarde të NATO-s, të gjithë janë të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK. Ekziston vetëdija dhe gatishmëria për këtë transformim andaj duhet të bëhet veprimi i duhur nga të gjithë institucionet dhe i deputetëve të Kosovës që të bëjnë Ushtrinë e Kosovës.

P.S. Autori është njohës i Cështjeve të Sigurisë dhe i Zhvillimeve të Politikave Gjeostrategjike.