[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Babai i një prej të humburve në Itali akuzon shtetin: Më vranë djalin



“Janë vrarë, ata që donin të ktheheshin u sekuestruan kundër vullnetit të tyre sepse rruga ishte bllokuar nga bora. Kishin valixhet gati, por i grumbulluan afër oxhakut si mish për top”. Kjo është akuza e babait të Stefano Feniello, 28 vjeçari që rezulton ende në mesin e të zhdukurve në hotelin Rigopiano në Pescara të Italisë dhe gjithashtu i fejuari i të mbijetuarës Francesca Bronzi.

Përgjegjësia për Alessio Feniellon është e autoriteteve. Ai thotë se të premten i ishte thënë se djali i tij ishte gjetur dhe shpëtuar nga ekipet e emergjencës në hotelin e shkatërruar nga tsunami i dëborë, por pavarësisht pritjes, Stefano nuk mbërriti asnjëherë në spital.

“Nuk dua t’ia di fare për institucionet italiane sepse kur djali im me telefonoi në orën 1 .30 dhe më tha se jemi gati për tu kthyer në shpi dhe pas dy orësh me njoftoi se ekipet që duhet të vinin të hapnin rrugët e bllokuara nga bora nuk erdhën. Më pas më thanë që kemi shpëtuar edhe djalin tuaj. Në mëngjes erdhëm në spital, pritëm katër autoambulanca, e pesta që presupozohej të kishte djalin tim nuk erdhi kurrë”, transmeton OraNews.

Sipas bisedës me të fejuarën e djalit, Fenielo tha se ajo e kishte parë Stefanon me dritën e celularit deri sa i ishte mbaruar bateria, ndërkohë që ka akuzuar punonjësit e emergjencës për neglizhencë. Nëse deri tani kishte ndonjë shpresë, tani nuk ka më, ka thënë i përlotur Feniello. Por situata është e njëjtë edhe për të afërmit e personave të tjerë që rezultojnë të zhdukur, të cilët gjithsej rezultojnë të paktën 24, ndërkohë që vetëm nëntë, mes tyre katër fëmijë është arritur të shpëtohen. Shumë prindër, motra e vëllezër të të zhdukurve kanë mbushur korridoret e spitalit të Peskaras, për të marrë informacione mbi të dashurit e tyre.

Prokurorët në Pescara kanë hapur një hetim me dyshimin vrasje e paqëllimshme si pasojë e neglizhencës.