Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar me personin, targat e veturës të të cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.
Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë hetime rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.
Pumper po i përgjigjet pyetjeve të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.
Avokati Rees: Zonja Pumper, kush është në dijeni brenda ZPS-së dhe është përgjegjës për të sjellë në vëmendje prokurorit të specializuar materialet që mund të sugjerojnë pafajësinë apo zbutjen e fajësisë së të akuzuarve, ose cenojnë kredibilitetin dhe besueshmërinë e provave të prokurorit të specializuar?
Dëshmitarja Pumper: Do t’ju referoj te zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar.
Avokati Rees: Zonja Pumper, sado të talentuar e punëtorë që janë zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar, dhe nuk kam dyshim për këtë, ata nuk janë përgjegjës, apo jo, për hetimin e çështjeve që në fillim.
Pyetjet e avokatit Rees janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici duke thënë se janë të përsëritura dhe se dëshmitarja po pyetet rreth një intervistë pjesë e së cilës nuk ka qenë.
Rees: ZPS nuk po thërret në gjykim personat, të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e hetimit të çështjes OVL-UÇK.
“Ajo është një hetuese me përvojë prej 20 vjetësh, ajo ka luajtur një rol në këtë hetim për çka të kufizuar siç thotë ajo, dhe nuk kemi mënyra të tjera si t’i qasemi këtij materiali, sepse ZPS nuk po thërret personat të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e këtij hetimi, kështu që unë synoj ta bëj këtë dhe nëse e ka të nevojshme të kalojmë në seancë private, atëherë ta bëjmë në seancë private”, ka thënë avokati Rees.
Kundërshtimi në pyetje ka bërë që avokati Rees të kërkojë largimin e dëshmitares nga salla përkohësisht, në mënyrë që të shpjegojë për trupin gjykues rëndësinë që kanë pyetjet e tij në këtë proces.
Rees: E pabesueshme që hetuesja e ZPS-së s’ka dijeni për qasjen sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve
“Nëse dëshmitarja thotë që nuk ka dijeni për këtë, kjo nuk do të thotë që unë duhet ta pranoj. Unë kam të drejtë të vazhdoj më tej, sepse mund t’i drejtohem trupit gjykues në momentin e duhur lidhur me çështjen nëse ju mendoni se ishte e besueshme që Pumper, koordinatore e hetimeve që ka 5 vjet që punon në Zyrën e Prokurorisë që kur filloi ka kryer një kontroll, të cilin do ta trajtojë, e cila ka punuar për TFHC përpara dhe ka shumë vite përvojë që më parë nga puna e saj në forcat moderne evropiane policore, të mohojë se nuk ka dijeni për qasje sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve. Unë mund t’u drejtohem dhe t’u them që kjo është plotësisht e pabesueshme”, ka thënë avokati Ress.
Koordinatorja e hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zenka Pumper po vazhdon dëshminë e saj në ditën e katërt me radhë.
LIVE: Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, ja kur do të merret vendimi për provat e paraqitura nga dëshmitarja Pumper
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar seanca në të cilën po zhvillohet gjykimi ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, ka lëshuar një urdhër me gojë ku ka bërë të ditur se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja Pumper, në fund të dëshmisë së saj.
Për ditën e katër me radhë, aty po dëgjohet Zenka Pumper, dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila sot po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.
Smith: Në fund të dëshmisë trupi gjykues do të marrë vendim për provat e paraqitura nga Pumper
“Sa i takon paraqitjes së provave, siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitura nga zonja Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj, kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize të deklaratave të dëshmitares për proces verbalin, në seancë të hapur”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Smith ka thënë se pritet nga prokuroria që të informojë se çfarë klasifikimi propozon për secilën provë materiale.
Ndërsa lidhur me klasifikimin provave do të merret edhe qëndrimi i mbrojtjes.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po marrin pjesën ë seancë me prezencë fizike dhe kjo është dita e katërt e dëgjimit të dëshmisë së koordinatores së hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
***
Ka nisur seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, Gucati e Haradinaj
Edhe sot do të vazhdojë seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Për të katërtën ditë me radhë dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper do të vazhdojë të dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë ditës së djeshme avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë. Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej mbaheshin nën vëzhgim zyrat e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.
Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.
Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.
Zenka Pumper ka thënë se vendimi për mbajtjen nën vëzhgim, të zyrës së OVL-UÇK ka qenë i prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij.
“I nderuar gjykatës, më kërkuat dje që të marrë vesh përgjigjet dy pyetjeve që kishit dhe dje me thanë se bashkërendimi i përgjithshëm dhe administrimi i këtij hetimi ishte kryer nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar, dhe nga ky informacion unë marr me mend se vendimi për të vendosur apo jo zyret nën vëzhgim do të ishte marrë prej tyre. Por nuk është se me kanë thënë në mënyrë specifike”, ka thënë dëshmitarja Pumper.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./Botapress.info/