Avokati i Thaçit jep një lajm të rëndësishëm për prova të reja nga dëshimtarët

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka arsyetuar kërkesën e saj për mundësi hetimore unike për tetë diplomatë të cilët synon t’i dëgjojë si dëshmitarë para fillimit të procesit gjyqësor.

Sipas mbrojtjes, këta dëshmitarë do të sigurojnë disa nga provat më të rëndësishme që gjykata do të dëgjojë në këtë rast dhe sipas tyre të njëjtit janë në moshë të shtyrë dhe me gjendje të ndryshme shëndetësore. Njohës të proceseve gjyqësore e vlerësojnë si të duhur këtë kërkesë dhe si një mundësi për të siguruar prova të cilat mund të jenë të paarritshme gjatë procesit gjyqësor.

LEXO EDHE KETE

https://botapress.info/lajmerohet-nga-prishtina-presidentja-osmani-per-marreveshjet-e-nenshkruara-nga-kurti-ne-berilin/

Diplomatët janë Steve Bennet, Wesley Clark, Jock Dovey, Michael Durkee, Daan W. Everts, Bernard Kouchner, William Walker dhe një dëshmitar emri i të cilit figuron i redaktuar në shkresën që avokati Gregory Kehoe e ka dorëzuar në gjykatë.

“Duke pasur parasysh pozitën dhe rolet e tyre në Kosovë në vitet 1998-1999, pikën e tyre unike dhe përfshirjen me individët kyç që i dhanë formë ngjarjeve në fjalë, këta 8 dëshmitarë do të sigurojnë padyshim disa nga provat më të rëndësishme që gjykata do të dëgjojë në këtë rast, për secilën palë”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Në shkresë thuhet se tetë dëshmitarët janë nga mosha 77 deri 87 vjeç dhe me gjendje të ndryshme shëndetësore.

Sipas tyre, për shkak të moshës së shtyrë ekziston rreziku që provat e tyre “mund të mos jenë të disponueshme më pas në gjyq”.

Mbrojtja e Thaçit e ka përmendur ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright dhe ish-diplomatin amerikan, Richard Holbrooke, të cilët kanë ndërruar jetë, si shembuj që tregojnë nevojën reale për të ruajtur provat e këtyre tetë diplomatëve.

“Megjithatë, për shkak të moshës së tyre të shtyrë, ekziston një rrezik real që provat e tyre “mund të mos jenë të disponueshme më pas në gjyq”, ose të paktën në kohën që Prokuroria të mbyllë çështjen e saj dhe të fillojë çështja e Mbrojtjes, qoftë me vdekjen e individit për shkak të pleqërisë ose paaftësisë. Në të vërtetë, Mbrojtja vëren se tashmë ka humbur dy dëshmitarë të mundshëm: ish-Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit në moshën 84-vjeçare dhe ish-diplomatin amerikan, Richard Holbrooke, i cili vdiq në vitin 2010 në moshën 69-vjeçare. Këta shembuj tregojnë nevojën reale për të ruajtur provat e këtyre 8 individëve. Rrjedhimisht, propozimi i Mbrojtjes për një mundësi unike hetimore në përputhje me Rregullën 99 (e ngjashme me depozitimin) për çdo dëshmitar të listuar më sipër do të sigurojë që Mbrojtja të mos humbasë mundësinë për t’i thirrur këta dëshmitarë”, thuhet në shkresë.

Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e mundshëm me të cilët mbrojtja ka qenë në kontakt janë të disponueshëm në shkurt të vitit 2023, përveç njërit prej tyre, i cili është i disponueshëm në prill të po atij viti.

“Në periudhën e aktakuzës, të 8 dëshmitarët ishin të gjithë diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administratën e Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misionin Monitorues të Kosovës (MVK); dhe [REDAKTUAR]. Ata kanë bashkëvepruar me z. Thaçin si në nivel profesional, dhe në disa raste edhe në nivel personal. Siç është paraqitur në detaje më poshtë në paragrafët 35-36, ata të gjithë do të dëshmojnë për çështjet që janë thelbësore për rastin kundër z. Thaçit, duke përfshirë strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) dhe Shtabit të Përgjithshëm, dhe rolin e z. Thaçit në këto të dyja; çmilitarizimin dhe çarmatimin e UÇK-së pas luftës duke përfshirë edhe rolin e Thaçit në këtë; dhe shkaqet apo organizimin e dhunës ne vitin 1999, ose mungesën e saj”, thuhet në shkresën e parashtruar nga mbrojtja e Thaçit.

Lidhur me këtë çështje, avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini sqaron për KoovaPress, se për këtë tani duhet të vendosë gjykuesi i procedurës paraprake.

“Kjo është një mundësi për me e siguru provën e cila mund të jetë e paarritshme në shqyrtim gjyqësor dhe kërkesa e mbrojtjes është shumë e qartë. Mosha e të propozuarve si dëshmitarë është mjaft e shtyrë dhe potencialisht mund të ndodh që ndonjëri prej tyre edhe të vdes për shkak të moshës së pleqërisë dhe kjo është arsyeja pse mbrojtja ka kërkuar që dëshmia e tyre të merret para se fillojë shqyrtimi gjyqësor në mënyrë që turpi gjykues ta ketë në dispozicion dëshminë e atyre dëshmitarëve kështu që mendoj që kërkesa është mjaft e qartë dhe është në funksion të zbulimit të së vërtetës dhe si të tillë besoj se gjykata duhet ta aprovojë” thotë Qerkini.

Ndërsa, Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress, se të gjithë dëshmitarët që konsiderohen të rëndësishëm duhet të ftohen në gjykatë dhe të paraqesin dëshminë e tyre.

“Pa dyshim që të gjithë dëshmitarët të cilët konsiderohen të rëndësishëm duhet të ftohen në gjykatë dhe të paraqesin dëshminë e tyre në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të ndriçohet e vërteta pra në këtë çështje penale. Në rast se këtyre dëshmitarëve do të aprovohet prapë kërkesa e mbrojtjes që të dëgjohen në bazë të kërkesës për mundësi unike hetimore, ata do të jenë në gjendje të përgjigjen ara pyetjeve të mbrojtjes, të turpit gjykues dhe po ashtu prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave, dhe bashkë të akuzuarve të tjerë. Ndërsa në një rast tjetër në rast se këta dëshmitarë do të ndërronin jetë apo nuk do të ishin të qasshëm për gjykatën për arsye të ndryshme atëherë nëse do të miratohej kërkesa që dëshmia e tyre të administrohet në gjykatë në formë të shkruar kjo do të mund të bëhej por sigurisht gjithmonë është më mirë që të njëjtit të jenë prezent në gjykatore gjatë dhënies së dëshmisë së tyre në mënyrë që të gjitha palët të kenë mundësinë t’i parashtrojnë pyetjet e tyre apo kundër pyetjet e tyre”, thotë Kadriu.

Gjykatësi i procedurës paraprake kishte kërkuar nga palët që të paraqesin kërkesat, nëse kanë, për mundësi hetimore unike.

Mbrojtja e Thaçit e ka bërë një gjë të tillë duke theksuar se është e rëndësishme të miratohet dëgjimi i tyre para një paneli prej gjykatësve apo para një gjykatësi të vetëm, për shkak të moshës së shtyrë të dëshmitarëve.

Vendimin për këtë e merr gjykatësi i procedurës paraprake, ndërsa nëse një gjë e tillë aprovohet procesverbali mbi dëshminë e tyre i dërgohet pastaj turpit gjykues.

Në praktikën e Dhomave të Specializuara deri tani ky është rasti i vetëm që është parashtruar një kërkesë e tillë për mundësi unike hetimore.

Të premten në Hagë do të zhvillohet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë./Botapress.info/

ngjashme