Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se brenda shtat muajve të këtij vit është vërejtur një rënie e ndjeshme në numrin e ankesave krahasuar me vitin e kaluar, ku kjo rënie ai ka thënë se ndërlidhet si rezultat i ngjarjeve që kanë ndodhur brenda viteve, ku gjatë vitit 2023 pati një fluks të madh ankesash për shkak të ndryshimeve ligjore, si ligji i pagave, që ndikuan në të drejtat e qytetarëve.
Qelaj për Ekonomia Online ka thënë se me Ligjin për rritjen e pagës minimale, nuk është arritur të harmonizohet paga me koston e jetesës, inflacionin dhe rritjen e çmimeve, kështu duke ndikuar që qytetarët të jetojnë më keq se sa që kanë jetuar para disa viteve.
Qelaj ka thënë se për këtë vit ankesat që vazhdojnë të dominojnë janë për zvarritjet në procedurat gjyqësore, transmeton Klankosova.tv.
“Këtë vit është vërejt një rënie e numrit të ankesave krahasuar me vitin paraprak, kjo vjen edhe si rezultat i ngjarjeve që kanë ndodhur brenda viteve. E zëmë se në vitin 2023 ka pasur një fluks të madh të ankesave në fillim të vitit, për shkak të ligjit të pagave dhe disa ndryshimeve të tjera ligjore që kanë afektuar dhe kanë prekur të drejtat e shumë qytetarëve dhe ka pas një numër jashtëzakonisht të madh të ankesave. Dhe këtë vit kemi rënë në nivelin normal të standardit të pranimit të ankesave si dhe para vitit 2023. Vazhdojnë të vijnë ankesa me çështje dhe shqetësime që lidhen me të drejtat e njeriut në sektorë dhe fusha, edhe vitet e tjera kemi pas më shumë ankesa, për nga natyra e ankesave vazhdojnë me dominuar ankesat për zvarritjet në procedura gjyqësore”, ka thënë ai.
Qelaj theksoi se, ndonëse ka një rënie në numrin e përgjithshëm të ankesave, shqetësimet e raportuara vazhdojnë të jenë të ndjeshme, sidomos në lidhje me zvarritjet në procedurat gjyqësore të cilat zgjasin me vite.
Avokati i Popullit ka theksuar më tutje se Ligji për rritjen e pagës minimale ka dëmtuar qytetarët dhe i ka lënë në një situatë të pa trajtuar mirë, sipas tij, si shkak i politikave jo të harmonizuara dhe të pamenduara ka bërë që grupe të caktuara që marrin kompensim nga shteti, pagat që marrin nuk janë të harmonizuar me koston e jetesës, me inflacionin e me rritjen e çmimeve duke bërë që këta qytetarë të jetojnë më keq se sa që kanë jetuar para disa viteve.