Serbët e veriut po hezitojnë të regjistrohen, por ata në jug të Ibrit po “regjistrohen në mënyrë masive”, tha kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati në një konferencë për media.
“Komuniteti serb (në veri) ende heziton në mënyrë masive“, tha Kastrati.
Ai njoftoi se deri dje “janë regjistruar më shumë se 891.000 banorë të Kosovës”, ndërsa foli për procesin e regjistrimit që nisi më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
Për pjesëmarrjen e serbëve të veriut në këtë proces, Kastrati tha se kanë biseduar me institucione ndërkombëtare në vend.
“Ata duhet dinë se kjo është një e mirë edhe për ata, për të ditur numrin e atyre që jetojnë në këto komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston”, tha Kastrati.
Lista Serbe iu ka bërë thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë së Kosovës.
Kastrati paralajmëroi veprime sipas ligjit, pa specifikuar se çka, ndërsa pranoi se thirrja e Srpskas pati ndikim te pjesa veriore e qytetarëve.
“Nëse komuniteti në atë pjesë nuk merr pjesë, ne do të bëjmë një vlerësim sipas standardeve ndërkombëtare”, tha kreu i ASK-së.
Ditët e fundit, Kastrati tha se ka pasur një numër të madh të qytetarëve që u regjistruan.
Të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë, Kastrati tha se mund të publikohen në pjesën e dytë të qershorit.
“Të dhënat do të jenë interesante edhe befasuese, sidomos te struktura e popullsisë, ndoshta edhe te mosha mesatare”, tha ai.