[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

“Ashensori i vdekjes”: Zbardhet shkaku i tragjedisë së Drilonës



Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka dhënë sqarime mbi zjarrin që përfshiu ashensorin e një pallati te zona e Freskut ditën e djeshme (20 janar), nga ku humbi jetën një grua 29-vjeçare.

Sipas ISHTI, shkaku i zjarrit nuk kishte të bënte me asnjë defekt në rrjetin e energjisë elektrike, por u përfshi nga flakët depozita e vajit në ashensor.

“Rreth orës 09.48 ka marrë zjarr depozita e vajit të  ashensorit hidraulik e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit. Zjarri i rënë ka dëmtuar kafazin e ashensorit dhe pastaj ka shkaktuar vdekjen e një banoreje të këtij pallati. Kabina ndodhej e pozicionuar në katin e parë dhe kishte dhe ajo në brendësi materiale konstruktive të djegshme”, thuhet në raportin e ISHTI.

ISHTI thotë se shkaku i zjarrit ishte kryesisht instalimi i depozitës së vajit brenda kafazit të ashensorit hidraulik, por gjendja nuk do të kishte agravuar në këtë pikë nëse nuk do të shoqërohej nga moseleminimi i rrjedhjeve të vajit, mospastrimi i vajit të rrjedhur dhe papastërtive në fundin e kafazit të ashensorit.

Gjithashtu ISHTI vëren se nuk ka pasur ndonjë skemë lajmërimi për dëmtimin e ashensorit sipas kërkesave të standardeve për ashensorët.

Ndërkaq, nga kontrolli i rrjetit elektrik është konstatuar se nuk ka pasur rënie automati monofazor që i përkiste familjarëve. Ndërsa automati trefazor i ambienteve të përbashkëta, prej nga furnizohet dhe ashensori me energji ka qënë i stakuar.

Më herët, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaroi se zjarri në pallatin në Fresk që i mori jetën një nënë të re nuk ka qenë për shkak të ndonjë shkëndije elektrike.

Nga këqyrja e vendngjarjes nga Inspektorati Qendror Teknik, institucioni përgjegjës qe nxjerr konkluzionet mbi shkaqet e të tilla aksidenteve, rezulton se nuk ka patur asnjë shkëndijë elektrike.

Pas pretendimeve të banorëve se janë ankuar disa herë për ashensorin dhe se askush nuk është përgjigjur për ta mirëmbajtur, burime nga grupi hetimor bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se ky lloj ashensori që punon me lëndë djegëse duhet të punojë vetëm në fabrika, miniera, por kurrsesi për pallate, duke thelluar kështu më shumë skandalin në këtë pallat, që shkaktoi tragjedinë me një viktimë.

“Nga foto që shihni vërtetohet se kabinat e OSHEE nuk kanë patur asnjë problem, dhe janë stakuar nga ne si masë sigurie për banorët dhe zjarrfikësit. Nëse do kishte shkëndije elektrike, kabina jonë duhet te ishte e nxire nga flakët/ose plasja”, pohuan burimet.

Ndërkohë, janë bërë të gjitha matjet deri në nivel kabine dhe rezulton që nuk ka patur luhatje tensioni.